Blogerët që e dokumentuan krizën e koronavirusit në Wuhan dhe u zhdukën

Blogerët që e dokumentuan krizën e koronavirusit në Wuhan dhe u zhdukën

15 February 2020 08:38

Një furgon ngjyrë bezhi qe ndalur para një spitali në Wuhan, me dyert anësore dhe të prapme paksa të hapur, shkruan sot Koha Ditore.

Fang Bin, një shitës lokal rrobash, i hedh një shikim brendësisë së furgonit, teksa ecën përskaj tij. Psherëtin befas: “Sa shumë të vdekur”. I numëroi pesë, gjashtë, shtatë, tetë këmbë kufomash. “Janë shumë”, thotë pëshpëritazi.

Ky moment, i përthekuar në një video 40-minutësh rreth shpërthimit të koronavirusit që ka plandosur Kinën, i dha Fangut famë në botën e internetit. Por vetëm dy javë më vonë, zhduket pa gjurmë. Ditë më herët, një tjetër video-bloger i njohur nga Wuhani, Chen Qiushi, ishte zhdukur po ashtu. Miqtë dhe familjarët e Chenit kanë thënë se besojnë që ai i është nënshtruar forcërisht karantinës.

Para zhdukjes së tyre pa gjurmë, Fang dhe Chen kishin xhiruar me dhjetëra video nga Wuhani, duke i publikuar pamjet pa filtra dhe shpesh zemërthyese nga epiqendra e epidemisë. Rreshtat e gjatë para spitaleve. Pacientët e stërlodhur. Të afërmit në agoni. Pamjet do të transmetoheshin ngado. Por e veçanta ishte se vinin nga brendia e Kinës, ku edhe kritika më e vogël ndaj autoriteteve eliminohet menjëherë nga rrjetet online e përgjegjësit përherë ndëshkohen.

Interesimi për videot e këtilla reflekton, pjesërisht, mungesën e burimeve të pavarura të lajmit në Kinë, ku gazetat profesionale kontrollohen në mënyrë strikte prej autoriteteve. Në fillim të këtij muaji, Departamenti shtetëror i propagandës ka angazhuar qindra gazetarë për ta riformësuar narrativin rreth shpërthimit të virusit.

Por videot reflektojnë po ashtu thirrjen e shtuar për liri të fjalës në Kinë, sidomos javëve të fundit, teksa kriza me koronavirusin ka nxitur kritika dhe vërejtje nga pothuajse akëcili cep i botës. Disa organizata profesioniste të lajmeve kanë publikuar raporte goditëse për epideminë. Revolta ndaj censurës qeveritare shpërtheu së fundi nëpër mediat sociale të Kinës, veçmas pas vdekjes së Li Wenliang, mjekut nga Wuhani që u mundua t’i paralajmërojë autoritetet për virusin qysh para përhapjes masive të tij.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme