Tentohet gjetja e kurës për koronavirusin Foto: Reuters

Tentohet gjetja e kurës për koronavirusin

11 February 2020 18:11

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nisur një takim dyditor në Zvicër, për të tentuar gjetjen e një droge, diagnoze apo vaksine kundër koronavirusit që ka rritur shqetësimet për aftësinë e jashtëzakonshme të përhapjes te njerëzit.

OBSH-ja ka deklaruar se përhapja e këtij virusi vdekjeprurës është kërcënim i madh për pjesën tjetër të botës, transmeton KTV. Deri të martën, vetëm në Kinë janë të konfirmuara 42 mijë e 708 raste, ndërsa numri i vdekjeve ka shkuar në rreth 1 mijë e 20.

Përveç mjekëve dhe hulumtuesve evropianë që po marrin pjesë në takimin dyditor në Zvicër, më shumë se 400 të tjerë janë bashkuar përmes videokonferencave nga Kina dhe Tajvani.

Ndërkaq, autoritetet kineze kanë larguar nga puna shumë zyrtarë, të cilët konsiderohen përgjegjës për shpërthimin e koronavirusit. Sekretari në Komisionin e Shëndetësisë në provincën Hubei, nga ku koronavirusi filloi të përhapej dhe kreu i komisionit janë në mesin e të shkarkuarve, që janë zyrtarët më të lartë të shkarkuar deri më tash.

Zëvendës-drejtori i Kryqit të Kuq lokal është në mesin e të larguarve, derisa akuzohet për keqmenaxhim të shpërndarjes së donacioneve.

Sipas mediave shtetërore, numri i njerëzve të larguar nga pozitat e tyre është me mijëra. Përpos shkarkimit, këta zyrtarë rrezikojnë edhe të ndëshkohen nga Partia Komuniste.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme