Shkalla e lartë e sulmeve seksuale, sundimi i dobët i ligjit dhe tabutë fisnore që mbajnë në heshtje dhunën gjinore, ka shtyrë disa gra nigeriane që të thyejnë të gjitha traditat, duke mësuar të vetëmbrohen.
Një grup i të drejtave të njeriut është bërë bashkë me trajner boksi për të ofruar mësime falas të vetëmbrojtjes që po u ndihmon të harrojnë dhunën e përditshme ndaj grave në një shtet që njihet për keqtrajtimin e tyre nga xhihadistët.
Studentja Adeola Olamide, thotë se është frikësuar dhe turpëruar kur për herë të parë u sulmua në shtëpinë e saj.
Kur vazhdoi abuzimi seksual, 35-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, vendosi të mësonte teknika të vetëmbrojtjes nga sulmuesit.
“Është shumë e çuditshme të dëgjosh se një grua dëshiron të vetëmbrohet nëse e gjen veten në një situatë të padëshirueshme. Të gjithë të thonë se ke filluar të bëhesh feministe dhe se po dëgjon gjëra që po ndodhin në botë. Mirëpo kështu nuk është në Afrikë”, thotë Olamide, pak minuta para se të nis mësimet për boks, transmeton KTV.
Duart e tyre lidhen dhe vendosen në dorezat e boksit. Zhurma e goditjeve të thasëve fillon të bëhet e zakonshme në sallë.
Instruktorët e boksit dhe karatesë, kanë mësuar Olamiden dhe 20 gra tjera teknika se si të bllokojnë goditje, të sulmojnë në vetëmbrojtje dhe të ikin.
Krejt këto stërvitje kanë zgjatur dy orë dhe i kanë mundësuar grave që të thyejnë traditat e tyre afrikane.
“Kur bëhet fjalë për përfshirjen e grave në gjëra fizike, siç janë sportet luftarake, atëherë është gjë tabu. Këto tabu vijnë nga presioni shoqëror dhe paragjykimet në shoqëri”, ka thënë Giwa-Osagie nga klubi i boksit “EliteBox”.
Mediat nigeriane çdo ditë raportojnë për kidnapimin e grave e vajzave që përdoren për krime seksuale.
Kidnapimi i 276 nxënëseve në vitin 2014 nga xhihadistët e Boko Haramit, ngjalli pakënaqësi të mëdha në botë.
Nigeria për gratë është vendi i nëntë më i rrezikshëm në botë ndërsa vendi më i rrezikshëm mbetet India.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.