Botë

Dy raste me koronavirus në Itali, mbyllet linja ajrore Itali-Kinë

Virusi vdekjeprurës mbërrin në Itali. Dy raste janë konfirmuar në shtetin përtej Adriatikut, që janë deklaruar zyrtarisht edhe nga kryeministri italian Giuseppe Conte duke shtuar se ata janë dy turistë kinezë, burrë e grua 67 dhe 66 vjeç nga provinca Wuhan.

Kryeministri italian tha më tej se të gjitha masat paraprake tashmë janë marrë: të dy janë izoluar në spitalin Spallanzani në Romë. Trafiku ajror drejt dhe nga Kina u mbyll, transmeton njoftimet Shqip.

“Nuk e gjetëm veten të papërgatitur, Ministri Speranza sapo ka miratuar një urdhër që mbyll trafikun ajror drejt dhe nga Kina. Ne jemi vendi i parë i BE që miraton një masë të tillë paraprake,” tha Conte.

“Asnjë alarm” spitali Spallanzani është Bibla në këtë sektor. Nuk ka asnjë arsye për të krijuar panik dhe alarm shoqëror”, tha Kryeministri italian. “Janë duke u zhvilluar kontrolle të mëtejshme për të rikonstruktuar rrugën” e dy turistëve kinezë, “për të izoluar kalimet e tyre, për të shmangur absolutisht çdo rrezik tjetër në krahasim me atë që është konstatuar”.

Sot është parashikuar mbledhja e Këshillit të Ministrave në të cilën do të merren masa të mëtejshme në mënyrë që të vihen të gjitha strukturat kompetente në dispozicion të urgjencës, përfshirë Mbrojtjen Civile.

“Zbulimi i rasteve të koronavirusit në Itali është “një fakt mjaft normal nëse mendojmë për statistika, pasi tashmë ka dhjetë raste në Evropë. Ishte mjaft e mundshme, e thoshin prej kohësh shkencëtarët tanë ”, theksoi Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

“Situata është serioze, por nuk ka nevojë për alarm. Situata është plotësisht nën kontroll”, vazhdoi Speranza. “Sistemi shëndetësor italian është një nga më të mirët në botë. Për këtë dua të falënderoj mjekët dhe infermierët të cilët gjithashtu, në koordinim me Rajonet, bëjnë të mundur sigurinë e duhur për qytetarët tanë”.

Dy turistët kinezë të shtruar në izolim “janë në gjendje të mirë, gjë që na bën të mendojmë se nuk ka njerëz të ekspozuar”. Kështu deklaroi Drejtori shkencor i Spallanzanit, Giuseppe Ippolito duke shtuar se “për momentin nuk duket se ka rrezik” për shpërthim epidemie.

Dhoma e hotelit, ku çifti kinez kishte qëndruar është mbyllur për t’u dekontaminuar. Të dy kishin mbërritur në Milano (aeroporti i Malpensas) më 23 janar dhe pas disa fazave të ndërmjetme mbërritën në Romë ku ishin ndjerë keq të mërkurën në mbrëmje. Masa shtesë parandaluese mund të zbatohen kundër automjeteve dhe personave me të cilët çifti kishte rënë në kontakt. Gjatë operacioneve të para të ndihmës, policët gjithashtu hartuan një raport i cili më pas iu dërgua Ministrisë së Shëndetësisë.