Ka shkuar në 29 numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi dje provincën Elazig në Turqi.
Sipas Reuters-it, ekipet e shpëtimit janë ende duke larguar njerëz nga rrënojat pas tërmetit të fuqishëm prej 6.8 ballësh.
Raportohet se 1 mijë e 400 persona janë të lënduar, transmeton Koha.net.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi se ekipet përkatëse po marrin të gjitha masat e nevojshme lidhur me tërmetin e fuqishëm.
Rreth 21 orë pas tërmetit, autoritetet njoftojnë se po punojnë pa ndërprerë për të nxjerrë njerëzit prej rrënojave. Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se 22 persona janë ende nën këto rrënoja.
Sipas Autoriteteve për Fatkeqësi dhe Emergjenca në Turqi, 43 persona janë nxjerrë gjatë ditës së sotme.
Sipas Reuters-it, tërmeti me magnitudë 6.8 u përcoll edhe me 462 tërmete tjera të lehta.
Autoritetet kanë dërguar shtretër në provincat e prekura, ku temperaturat gjatë natës bien nën zero.
E dridhjet e tokës u ndien edhe në Siri, Liban dhe Iran.
Tërmetet janë të zakonshme në Turqi. Rreth 17.000 njerëz vdiqën në një tërmet masiv në qytetin perëndimor Izmit, në vitin 1999.
Pas kësaj tragjedie, Turqisë i kanë ofruar ndihmë shumë shtete, mes tyre edhe Kosova.