Botë

Protesta në Greqi ndaj kampeve të stërmbushura me emigrantë

Greva dhe protestat kanë nisur në ishujt grekë, Lesbos, Samos dhe Chios, kundër mënyrës së trajtimit të emigrantëve që po vazhdojnë të vijnë nga Turqia.

Numri i tyre po rritet dhe kushtet në kampet e stërmbushura nëpër ishuj janë të rënda.

Moria, kampi më i madh që gjendet në ishullin Lesbos, strehon 19 mijë azilkërkues, të cilët jetojnë në qendra strehimore që mund të mbajnë vetëm 2 mijë e 800 njerëz, raporton Reuters.

Përmes disa banerëve në teatrin e ishullit Lesbos, grekët kanë bërë thirrje për kthimin e tij në një vend normal. E në një tjetër, bëhej thirrje për mbylljen e kampeve, të cilat grekët i konsiderojnë burgje.

Udhëheqësit e rajonit verior të Egjeut në Greqi kanë thënë se ishujt janë shndërruar në kampe përqendrimi për mijëra emigrantë nga Afrika dhe Lindja e Mesme.

Vetëm në Lesbos kanë protestuar 3 mijë persona, ndërsa në Samos u mblodhën edhe 1500 të tjerë.

Ndaj situatës së rëndë në ishuj kanë reaguar edhe bizneset. Dyqanet, farmacitë dhe pikat e karburantit tashmë janë mbyllur në formë greve, transmeton KTV. E kësaj greve i janë bashkuar edhe taksistët me shoferët e autobusëve.

Shumë prej banorëve të ishujve ndihen të braktisur nga shteti dhe thonë se emigrantët e kanë të pamundur të largohen dhe se nuk janë të lirë që të shkojnë atje ku duan.

Qeveria greke ka prezantuar dy mënyra të ndaljes së ardhjes së tyre në ishuj.

Greqia ka shtuar sigurinë në kufijtë e saj dhe ka marrë vendim që të kthejë prapa të gjithë azilkërkuesit që nuk meritojnë mbrojtje ndërkombëtare.

Të premten pati trazira edhe nga ana e emigrantëve që reaguan ndaj vrasjes me thikë të një 20-vjeçari brenda kampit Moria. Ata ia vunë zjarrin një kontejneri mbeturinash dhe alarmuan se kampi nuk është më i sigurt për ta.

Për vrasjen e 20-vjeçarit u arrestua një tjetër emigrant 27-vjeçar.