Botë

OBSH-ja në takim urgjent për virusin vdekjeprurës nga Kina

Organizata Botërore e Shëndetësisë do të zhvillojë nesër një takim urgjent me Komitetin e Ekspertëve për Emergjencat mbi përhapjen e Koronavirusit në Kinë.

Pritet që OBSH-ja të vendosë nëse epidemia e virusit vdekjeprurës që ka përfshirë Kinën është apo jo një emergjencë ndërkombëtare.

Ky reagim i OBSH-së erdhi pasi virusi që u zbulua për herë të parë në qytetin Wuhan dhe që infektoi gati 200 njerëz, u përhap në qytete të tjera të Kinës, përfshirë Pekinin dhe Shanghain. Ndërsa u zbulua se virusi ishte përhapur edhe jashtë Kinës, shkruan Fjala.al, transmeton Koha.net.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit Kinez konfirmoi më parë se koronavirusi i ri, i cili shkakton pneumoni, që transmetohet nga një person te tjetri ka infektuar edhe disa anëtarë të stafit mjekësor, njoftoi agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Sinhua.

Eksperti i sëmundjeve të frymëmarrjes, dhe njëherësh kreu i ekipit të komisionit shëndetësor që po heton epideminë, Jong Nanshan, ka konfirmuar se dy raste të infektimit në provincën kineze të Guangdong-ut janë transmetuar nga një person te tjetri.

Kina ka konfirmuar gjithsej 217 raste të koronaviruseve në territorin e saj, të cilat u zbuluan për herë të parë në qytetin qendror të Wuhan.

Deri më tani, është konfirmuar zyrtarisht se pneumonia e shkaktuar nga virusi i ri ka marrë jetën e tre personave.