10,000 deve rrezikojnë të vriten në Australi sepse po i lënë banorët pa ujë

10,000 deve rrezikojnë të vriten në Australi sepse po i lënë banorët pa ujë

07 January 2020 20:50

Rreth 10,000 deve rrezikojnë të vriten në një rajon të goditur nga thatësira në Australi, pas ankesave se këto kafshë të etura po i rrezikojnë banorët lokalë që dëshpërimisht po kërkojnë ujë.

Zyrtarë vendës në pjesën e largët veriperëndimore të Australisë Jugore kanë aprovuar vrasjen e kafshëve, e cila pritet të fillojë të mërkurën dhe pritet të zgjasë pesë ditë, raporton CNN.

Qeveria lokale e zonës, Anangu Pitjantjatjara Yankunytjatjara (APY), tha në një memorandum të postuar në Facebook se “grupe jashtëzakonisht të mëdha të deveve dhe kafshëve tjera të egra në dhe përreth komuniteteve” po “i vënë në presion komunitetet vendase” teksa kërkojnë ujë, transmeton Koha.net.

Për vrasjen masive do të angazhohen vrasës profesionistë, ndërsa mediumi anëtar i CNN-it, Seven News, ka raportuar se 10,000 kafshë janë në rrezik.

Sikurse pjesa më e madhe e vendit, edhe Australia Jugore ka përjetuar kohëve të fundit temperatura ekstremisht të larta.

Rajoni APY është një zonë jashtëzakonisht e largët e Australisë Jugore dhe me popullsi të paktë. Vetëm rreth 2,300 njerëz jetojnë në rajon, me hapësirë pak më të madhe se shteti amerikan i Kentuckyt.

Besohet se në tërë Australinë janë mbi 1 milion deve dhe ky numër po rritet me shpejtësi.

Por, devetë nuk janë të vetmet specie që po pësojnë nga vala e zjarreve në Australi.

Krijesa të ndryshme u janë afruar njerëzve javëve të fundit në kërkim të ujit, dhe muajin e kaluar një video e një koale duke pirë ujë nga një shishe uji e një biçiklisti u bë virale.

Vlerësohet se me qindra miliona kafshë kanë ngordhur si pasojë e zjarreve.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme