Botë

Qendrat e aftësimit në Tanzani i arsimojnë nxënëset shtatzëna pasi braktisën shkollën

Vajzat shtatzëna në Tanzani, janë detyruar kohë më parë që të heqin dorë nga arsimimi.

Në vitin 2017, presidenti i Tanzanisë, ua kishte ndaluar të gjitha nxënëseve shtatzëna që të ktheheshin në shkollë, me arsyetimin se do të ishin ndikim i keq për nxënëset tjera. Ai, madje, kishte kërkuar që ky rregull të respektohej rreptësishtë.

Shumë prej këtyre vajzave shpesh janë përjashtuar edhe nga familja dhe nuk janë përkrahur nga qeveria.

Për shkak të këtyre problemeve, ato kanë jetuar në kushte të vështira dhe janë detyruar që të vetme të kujdesen për fëmijët e tyre, raporton Reuters, transmeton KTV.

Por, në qytetin Arusha, në verilindje të Tanzanisë, qendra “Faraja” po ofron shpresë për këto vajza.

Kjo qendër është krijuar që t’u ndihmojë vajzave, duke u mësuar zanate të ndryshme.

Përveç këtyre zanateve, qendra ka ofruar strehim për fëmijët e tyre.

Në mesin e këtyre vajzave është edhe Debra Emmanuel.

“Më është dashur të braktisja shkollën dhe të bëhesha gati për lindje... Prindërit i kam fermerë. Tentuan të më ndihmonin, por përjetova periudha urie. Nuk mund t’u ofroja fëmijëve ushqim dhe veshmbathje”, tha Emmanuel.

Qendra si këto janë të pakta në Tanzani, mirëpo kanë dhëne rezultatet e para.

Debra Emmanuel është një nga 23 nënat që janë bërë pjesë e grupit të parë e që kanë siguruar nga një diplomë aftësimi nga qendra.