Botë

Sinjale për zgjedhje të parakohshme në Izrael

Partia Yisrael Beytenu ka një rol kyç në bisedimet e koalicionit për shkak se edhe blloku i majtë edhe ai i djathtë nuk kanë arritur numrin prej 61 deputetëve të nevojshëm për formimin e qeverisë

Ish-ministri izraelit i Mbrojtjes dhe lideri i partisë së djathtë Yisrael Beytenu (Izraeli Shtëpia Jonë), Avigdor Lieberman ka deklaruar se opsionet e qeverisë së koalicionit tashmë nuk janë më të mundshme dhe se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.

Me një rol të rëndësishëm në bisedimet e koalicionit, Lieberman në një intervistë për "Yedioth Ahronoth" një nga gazetat më kryesore të Izraelit, siç transmeton AA, akuzoi kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe liderin e Aleancës "Kaltër dhe Bardhë", Benny Gantz për mosarritjen e formimit të qeverisë në vend.

Lieberman deklaroi se menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme më 17 shtator ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për formimin e qeverisë së unitetit mes partisë së Netanyahut Likud dhe Aleancës "Kaltër dhe Bardhë".

"Jam përpjekur të ushtroj presion mbi Netanyahun dhe Gantzin për formimin e qeverinë së unitetit, por ata në bisedimet e koalicionit ishin shumë të zënë me lojën e akuzave ndaj njëri tjetrit. Që të dyja partitë kanë dhënë një vendim strategjik për mos formimin e qeverisë së unitetit. Për këtë arsye që të dyja partitë janë përgjegjës në të njëjtën masë për zgjedhjet e ardhshme", tha Lieberman.

Duke theksuar se nuk do të bashkohet me qeverinë e ngushtë të krahut të djathtë të udhëhequr nga Netanyahu, Liebernam tha se "Personalisht për mua opsioni më i mirë mund të ishte një qeveri e ngushtë e krahut të djathtë. Mund të bëhesha edhe zv.kryeministër edhe ministër i Mbrojtjes, mund të merrja atë që doja, por qeveria e ngushtë është një qeveri e pasuksesshme dhe ku ka gjithmonë mosmarrëveshje".

Pas kësaj deklarate është forcuar edhe më shumë mundësia që votuesit në Izrael të shkojnë drej kutive të votimit për zgjedhje të parakohshme.

Partia Yisrael Beytenu ka një rol kyç në bisedimet e koalicionit për shkak se edhe blloku i majtë edhe ai i djathtë nuk kanë arritur numrin prej 61 deputetëve të nevojshëm për formimin e qeverisë.

Izraeli këtë vit ka zhvilluar dy herë zgjedhje parlamentare, në prill dhe shtator, ku dy partitë më të mëdha Likud dhe "Kaltër dhe Bardhë" nuk arritën të formojnë një qeveri koalicioni.