Macroni nuk ndryshon qëndrim për “vdekjen e trurit të NATO-s” Foto: Reuters

Macroni nuk ndryshon qëndrim për “vdekjen e trurit të NATO-s”

03 December 2019 18:28

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha sot se u qëndron prapa deklarimeve të tij të mëhershme se NATO është në një gjendje “të vdekjes klinike” dhe se Aleanca duhet të jetë e qartë për qëllimin e saj parësore.

Në një konferencë shtypi të përbashkët me homologun e tij amerikan, Donald Trump, në margjinat e një samiti të NATO-s në Londër, Macroni tha se Aleanca nuk mund të pajtohet as për një përcaktim të përbashkët të terrorizmit.

Turqia, tha ai, po lufton në veri të Sirisë kundër atyre që më parë kanë bashkuar partnerët perëndimorë kundër organizatës terroriste të Shtetit Islamik.

“Ky është problem, një problem strategjik”, tha Macroni, transmeton ksp

Presidenti francez akuzoi Turqinë për bashkëpunim me aleatët e Shtetit Islamik dhe tha se Ankaraja duhet të pastrojë këto paqartësi gjatë takimeve të kësaj jave.

“Grupet terroriste janë një armik i zakonshëm sot. Më vjen keq të them që ne nuk kemi të njëjtin përkufizim të terrorizmit”, tha më tej Macroni.

“Kur shikoj Turqinë, ata janë duke luftuar kundër atyre që luftuan krah për krah me ne kundër ISIS-it, dhe ndonjëherë ata janë duke punuar me aleatët e ISIS-it”, tha presidenti francez.

Macroni gjithashtu hodhi poshtë thirrjen e Trumpit që Parisi të sjellë luftëtarët e tij të huaj në shtëpi, duke thënë se kjo nuk është prioritet.

Ai tha se fokusi duhet të jetë në zgjidhjen e problemit të Shtetit Islamik, i cili ende nuk është mposhtur.

Trumpi tha se po mendon të vendosë sanksione ndaj Turqisë për blerjen e sistemit raketor rus, duke akuzuar paraardhësin e tij se Ankarasë nuk ia ka shitur sistemin e raketave amerikane.

“Ne mendojmë për këtë dhe flasim për këtë”, u tha Trumpi gazetarëve.

“Siç e dini, Turqia dëshironte të blinte sistemin tonë ‘Patriot’ dhe administrata (ish-presidenti amerikan Barack Obama) nuk ua lejoi. Ata ia lejuan vetëm kur ishin gati për të blerë një sistem tjetër”, potencoi Trumpi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme