Botë

Në mungesë të ligjit për abortin, në Kenia nënat i mbysin foshnjat e tyre me Coca-Cola

Foto: The Telegraph

Nënat në Kenia i ushqejnë bebet e tyre me Coca Cola për t’i mbytur ato sepse e kanë të pamundur të kryejnë aborte, thonë aktivistë të të drejtave të njeriut.

Vendi afrikan është në prag të një “krize” të vrasjes së fëmijëve, teksa nënat kërkojnë të gjejnë mënyra për të përballuar ose për të hequr qafe fëmijët e padëshiruar.

Disa kanë zgjedhur përdorimin e Coca Cola-s, birrën e xhenxhefilit apo pije tjera të gazuara, me çka i ushqejnë në vend të qumështit.

Të porsalindurit i marrin të gjitha vlerat ushqyese përmes qumështit, dhe, në mungesë të tij, mund të vdesin nga uria brenda pak ditësh.

Një numër i konsiderueshëm i foshnjave po ashtu lihen të vdesin nëpër gropa mbeturinash apo nëpër lumenj, që më pas i marrin punëtorët si pjesë e jetës së tyre të përditshme, transmeton “MailOnline” shkrimin e “The Telegraph”.

Të tjerat zgjedhin abortet ilegale që mund t’i sjellin bebet më herët në jetë dhe më pas i vrasin ato. Këto procedura shpesh kanë pasoja shkatërruese apo vdekjeprurëse edhe për nënat.

Rrëfimet vënë në pah dëshpërimin e grave që nuk mund të përballojnë ngritjen e një familjeje në një vend ku aborti është ilegal.

Abortet e pasigurta janë një shkaktari kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së nënave në Kenia, tregojnë statistikat.

Megjithatë, shkalla e vrasjes së fëmijëve nuk është matur ende zyrtarisht. Këto tregime janë ndarë për gazetën britanike “The Telegraph”, transmeton Koha.net.

Vincent Odhiambo, aktivist i të drejtave të njeriut në Kibera, një lagje e varfër e Nairobit, thotë: “Disa gra nuk janë në pozitën për të krijuar familje. Dihet se po t’i japësh një fëmije Coca-Cola, ai do të vdesë”.

“Mund të merrni me mend t’i jepni një bebeje të vogël Coca-Cola në vend të qumështit – nuk mund të mbijetojë për më shumë se tri ditë”, shton Odhiambo.

Në muajin shkurt, Qendra për Drejtësi në Komunitet në Kibera, ku punon Odhiambo, ka pranuar raporte të një gruaje e cila ka parë fqinjën e saj duke i dhënë të bijës së saj të porsalindur mbidozë fatale të birrës së xhenxhefilit, që është prodhim i Coca-Cola-s.

Florence, një punëtore qeveritare, ka treguar në telefonin e saj një sërë fotografish të bebeve të vdekura të gjetura nëpër deponi bërlloku.

Një fotografi është e një vajze të imët e mbetur në pozicionin e fetusit. Banorët thonë se nëna i ka dhënë asaj Coca Cola.

Wilson Cheptoo, një seleksionues mbeturinash, thotë vetëm ai gjen nga 15 foshnje të pajeta në vit në deponinë ku ai mbledh mbeturina për tregti. Thotë se as në mesin e kolegëve të tij nuk është diçka e pazakontë.

Vetëm brenda një jave gjatë muajit maj, trupat e pajetë të tetë foshnjave janë nxjerrë nga ujërat e Lumit të Nairobit, ujëra që janë të mbuluara me bërllok.

Më e zakonshme se vrasja e foshnjave dhe braktisja e tyre, thonë aktivistët, janë abortet nëpër rrugë ilegale të kryera nga mjekë të pakualifikuar.

Ka mungesë të klinikave të shëndetit të nënave që nga zvogëlimi i fondeve nga SHBA-ja nën administratën e Donald Trumpit.

Më 2017, me presionin nga lobi amerikan “pro-jetë”, u vendos një rregull që nënkuptonte se çdo organizatë që ofron madje edhe këshilla mbi abortin, do t’i ndalohej ndihma amerikane.

Si pasojë, organizata “Family Health Options Kenya”, u desh të eliminonte shërbimet pa pagesë dhe të mbyllte dy klinike.

Aborti është ilegal në Kenia, dhe lejohet vetëm në rastet kur shëndeti i nënës është në rrezik. Kushdo që kryen aborte “të paautorizuara” rrezikon dënim me burgim deri në 14 vjet, transmeton Koha.net.

Më 2014, një infermiere keniane u dënua me burgim me vdekje pasi u shpall fajtore për kryerjen e një aborti ndaj një gruaje e cila më vonë kishte vdekur si pasojë e gjakderdhjes.

Kjo do të thotë se mjekët tani nuk i hyjnë fare këtij rreziku, por edhe si pasojë e presioneve religjioze dhe atyre politike.

Në mungesë të aborteve të sigurta, të lira dhe legale, gratë shpesh nuk kanë mundësi tjera pos të kursejnë para për të paguaj një xherah për abortim, paralajmërojnë organizatat bamirëse.

Tregime të tmerrshme të aborteve joetike ka plot – një klinikë e cila i sillte në jetë fëmijët para se t’i vriste ata me një goditje me çekan në kokë raportohet të jetë mbyllur gjatë këtij viti.

Abortet janë të rrezikshme edhe për gratë – shtatë gra vdesin në ditë si pasojë, sipas organizatës bamirëse për shëndetin e gruas, “Marie Stopes International”.

Deri në 350,000 gra keniane në vit rrezikojnë të bëjnë aborte të pasigurta dhe 21 mijë gra në vit shtrihen në spital si pasojë.

Një doktor në mënyrë anonime ka treguar të ketë refuzuar një grua shtatzënë në muajin e gjashtë, duke i thënë asaj se ishte tepër vonë për të kryer abortin dhe i kishte ofruar këshilla në vend të abortit.

Po atë natë, derisa mjeku po e mbyllte klinikën, gruaja ishte kthyer e mbuluar në gjak.

“Dikush ia kishte shqyer barkun”, ka thënë doktori për “The Telegraph”. “Gjithçka po i dilte jashtë. Zorrët po i dilnin. E futa në sallë por zorrët i kishte të shpuara dhe barkun e copëtuar. I dhamë gjak, por ajo vdiq gjashtë orë më vonë”.

Për ato që s’mund të mbledhin para të mjaftueshme për një abort ilegal, një pakicë e vogël lindin fëmijët e tyre dhe shtyhen në vrasje.

Aktivistët kanë kërkuar për ndryshim të ligjit për ët lejuar aborte të sigurta, sikurse edhe edukim më të mirë për seksin, për të ndaluar rritjen e numrit të vrasjes së dhe aborteve të pasigurta.