REL: Informatori rus në takim me “agjentin serb” në Beograd

REL: Informatori rus në takim me “agjentin serb” në Beograd

18 November 2019 20:48

Në rrjetin social YouTube, dje (më 17 nëntor) është publikuar një video në të cilën pretendohet të jetë një anëtar i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake Ruse (GRU) që i jep ryshfet “agjentit serb – një zyrtar i rangut të lartë”.

Në video-incizim shihet takimi mes dy meshkujve në një parking veturash, pastaj të dy ata shkojnë deri tek automjeti i njërit nga ta. “Informator i dyshuar rus” i jep një qese plastike “agjentit serb”, i cili atë qese e fut në automjetin e parkuar. Dy meshkujt më pas shkojnë në një kafiteri të afërt, pas së cilit takim ndahen. Kur personi, i përshkruar në video si “agjent serb”, pas takimit shkon tek automjeti i tij dhe hap qesen e plastikës që e mori nga personi tjetër i dyshuar si informator rus, në të gjen një zarf me para, raporton Radio Evropa e Lirë, edicioni në gjuhën serbe, transmeton Koha.net.

Autenticitetin e videos, sikurse edhe periudhën kur është incizuar, Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë.

“Bellingcat”: Personi në incizim është diplomat rus në Serbi

Videoja, sipas analizës që e ka dhënë Christo Grozev, gazetar i platformës së hapur të hulumtimeve “Bellingcat”, tregon zëvendësin e të dërguarit të mbrojtjes të Rusisë në Serbi, përndryshe anëtar i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake Ruse (GRU).

Grozev thotë se bëhet fjalë për Georgy Viktorovich Kleban, dhe se identiteti i tij është vërtetuar përmes softuerit për identifikimin e fytyrave “Microsoft Azure”.

Sipas asaj që shkruan Grozev, adresa e tij e banimit në Moskë është adresa e Akademisë së Përgjithshme Ushtarake – por, thotë Grozev, nuk është çudi pasi ai është zëvendës-atashe ushtarak. Me këtë, siç thotë Grozev, s’mund të themi në asnjë mënyrë se ai është GRU.

“Por, duke e kontrolluar adresën e regjistruar të *gruas së tij* tregon diçka pak më interesante. Ajo është e regjistruar në konviktin e një njësiti rus ushtarak sulmues ajror i quajtur “Specnaz” (shkurtesë e “Spetsialnoye nazhacheniye”, që do të thotë “Qëllimi Special”)”, thotë Grozev, ndërsa potencon se zyrtarët e GRU-së që trajnohen shpesh për misione të reja nën mburojën diplomatike, “nuk regjistrohen në adresat e GRU-së”.

“Megjithatë, nuk tregohen të kujdesshëm me bashkëshortët e tyre”, potencon Grozev.

Çfarë dimë?

Gjatë nëntorit, një person me emrin “kdjuey” ka hapur një profil në Twitter. Pa asnjë ndjekës apo person që e ndjek, “kdjuey” kishte publikuar linkun e videos së ngarkuar në Youtube, më 17.11.2019, në ora 16:30.

Në video-incizim shihen dy persona teksa takohen në një mbrëmje vjeshte me shi.

Pas postimit të parë me videon, “kdjuey”në Twitter ka etiketuar disa shtëpi mediale, nisur nga mediat lokale të Beogradit, pastaj nga ato në rajon, e deri tek ato amerikane si CNN e të tjera.

“Spiunët rusë po e korruptojnë Serbinë. Kjo është një video e oficerit kryesor të Inteligjencës Ushtarake Ruse (GRU), Kolonel Georgy Viktorovich Kleban, duke paguar një agjent serb që është një zyrtar i lartë serb. Klebani punon në Ambasadën Ruse në Beograd. Ja çfarë na bëjnë rusët neve, ‘miqve’ të tyre”, shkruan në përshkrimin që i është bërë videos së postuar në Youtube në gjuhën angleze transmeton Koha.net.

Sipas informacioneve që gjenden në video-incizim, mësohet se takimi është realizuar në komunën e Zemunit në Beograd.

Dy persona, nga të cilët, siç thotë Grozevi, njëri nga ta është zyrtari rus Kleban, takohen në një parking automjetesh. Klebani mban një qese në dorë. Të dy ata më pas shkojnë tek automjeti tjetër dhe, siç dihet deri më tani, personi i panjohur merr qesen dhe e futë në veturë, pas çka dy personat shkojnë në kafiterinë “Brewpub Crna Ovca”, i cili gjendet në Zemun.

Me një kërkim të shpejtë në internet është konstatuar se kjo kafiteri gjendet vërtet në Zemun.

Duke e analizuar parkingun ku janë takuar dy personat, është konstatuar se bëhet fjalë për parkingun “Kapetanija Parking Lot” i cili gjendet rreth tre minuta larg kafiterisë.

Fytyra e njërit person është e mbuluar, sikurse edhe tabelat e regjistrimit të veturës. Gjatë video-incizimit shihet shkëmbimi i qeseve.

Siç i është thënë Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe nga Ministria e Jashtme e Serbisë, Kleban ka qenë në postin e ndihmësit të të dërguarit të mbrojtjes në Ambasadën e Rusisë në Beograd, por se nga ajo pozitë është larguar në qershor të vitit 2019.

Gjithnjë sipas MPJ-së serbe siç i është thënë REL-it, Klebani nuk gjendet në listën diplomatike të përfaqësuesve aktivë diplomatikë të shteteve të huaja në Serbi, të disponueshme në faqen e internetit të ministrisë, e cila u azhurnua për herë të fundit më 15 nëntor 2019.

Emri i Klebanit përmendet në ueb-faqen e ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë më 23 tetor 2017 kur Klebani, siç bëhet e ditur, vizitoi varret e gjashtë marinarëve të Ushtrisë së Kuqe të vrarë në luftën për çlirim si përfaqësues i Delegacionit të Mbrojtjes Ruse me rastin e Ditës së çlirimit të Novi Sadit.

Image

Çfarë nuk dimë?

Autenticiteti i videos nuk është konfirmuar. Nuk ka as informacione të konfirmuara rreth asaj se kur është bërë videoja, kush është autor i këtij materiali dhe se për çfarë nevojash është incizuar. Madje nuk dihet as për çfarë parash bëhet fjalë, rrjedhimisht as arsyeja përse i janë dhënë ato para personit të panjohur në video.

Po ashtu mbetet i panjohur identiteti i personit të dytë në incizim, i cili përshkruhet vetëm si “agjent serb”.

REL-i i është drejtuar Ambasadës së Rusisë në Beograd me pyetje – nëse mund të konfirmojnë se personi në videon e publikuar në Youtube është Georgy Kleban, cili është statusi i tij aktual dhe nëse Ambasada ka qenë e njoftuar për aktivitetet e Klebanit të cilat shihen në video. Përgjigje deri në publikimin e këtij teksti nuk ka pasur.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme