Qeveria e përkohshme e Bolivisë dhe ligjvënësit nga partia e ish-presidentit Evo Morales, kanë arritur marrëveshje për të zhvilluar zgjedhje të reja, duke ndihmuar potencialisht në zgjidhjen e krizës politike të shtetit të Amerikës së Jugut.
Në një seancë maratonike në Senatin bolivian, partitë u pajtuan për zgjedhje të reja pas disa javësh protestash të dhunshme, që çuan në dorëheqjen e liderit të majtë Evo Morales, transmeton KTV.
Presidentja e përkohshme Bolivisë, Jeanine Anez, e cila mori detyrën përsipër të martën, tha se dëshiron të ndërtojë ura komunikimi me partinë e Morales-it.
Ajo, megjithatë, tha se vetë Morales nuk do të ishte i mirëpritur si kandidat në zgjedhje.
Anez, 52 vjeç, po përpiqet të udhëheqë Bolivinë e përçarë që është tronditur nga protestat që nga zgjedhjet e 20 tetorit, të cilat u fituan nga Morales, por u dëmtuan nga akuzat për manipulime.