Botë

Gjermania thotë se BE-ja “duhet të hapë derën” për vendet e Ballkanit

Foto: AP

Ministri i Jashtëm gjerman ka ofruar përkrahjen e Gjermanisë ndaj përpjekjeve të Maqedonisë së Veriut për t’i nisur negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, pasi një pakicë e shteteve anëtare të BE-së bllokuan këtë proces.

Heiko Maas tha të mërkurën se BE-ja “duhet të hapë derën” për vendet e Ballkanit dhe tha se populli i Maqedonisë Veriore nuk duhet të jetë i zhgënjyer me këtë bllokadë, raporton AP.

Muajin e kaluar, BE-ja dështoi të pajtohej për hapjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë pasi vendet e udhëhequra nga Franca nuk u pajtuan, transmeton Koha.net.

Maas tha se Gjermania mbetet “në dispozicion” të Maqedonisë së Veriut dhe ofroi mbështetje shtesë për vendin në përpjekjet e saja për të reformuar gjyqësinë dhe sundimin e ligjit, dhe luftën kundër korrupsionit.

Ai këto komente i bëri pas bisedave që i zhvilloi në Shkup me ministrin e Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov.