Gjermania parandalon një sulm terrorist, arreston një maqedonas dhe dy turq Foto: Reuters / ilustrim

Gjermania parandalon një sulm terrorist, arreston një maqedonas dhe dy turq

12 November 2019 17:45

Policia gjermane ka ndaluar tre persona në qytetin Offenbach nën dyshimin se po planifikonin një sulm duke përdorur lëndë shpërthyese në emër të Shtetit Islamik, kanë thënë prokurorët sot.

Siç raporton Reuters-i, prokurorët kanë thënë se i dyshuar kryesor është një 24 vjeçar gjerman me prejardhje nga Maqedonia e Veriut që ka dashur të prodhojë eksplozivë dhe ka tentuar të blejë armë online. Dy shoqëruesit e tij janë shtetas turq të moshave 22 dhe 21 vjeç, transmeton Koha.net.

Tre të dyshuarit kanë dashur të vrasin sa më shumë “të pafe” që të jetë e mundur në sulm, ka thënë prokurorja e Frankfurtit, Nadja Niesen në një deklaratë.

Nuk janë bërë të ditura caqet e sulmit por dëshmitë e mbledhura nga bastisjet e tri shtëpive në Offenbach duhet të qartësojnë gjërat, ka shtuar ajo.

Agjencitë gjermane të inteligjencës dhe policia ka qenë në gjendje të lartë gatishmërie për sulme potenciale nga militantët islamikë që kur një azil-kërkues i refuzuar nga Tunizia vrau 12 persona duke u futur me kamion në një treg krishtlindjesh në Berlin rreth tri vjet më parë.

Të dyshuarit besohet t’u kenë thënë njerëzve se janë përkrahës së ISIS-it, ka thënë Niesen, duke shtuar se mendohet që të tre të dyshuarit kanë qenë të njohur për policinë.

Substanca dhe pajisje që mund të përdoren për të prodhuar eksplozivë janë gjetur në shtëpinë e të dyshuarit kryesor, tha ajo. Autoritetet thanë po ashtu se kanë siguruar dokumente të shkruara dhe të dhëna elektronike.

Niesen tha se vendimi do të merret të mërkurën nëse të tre të dyshuarit apo vetëm njëri nga ta do të dalë para gjykatësit hetues në një gjykatë në Frankfurt.

Gjykatësi do të vendosë nëse do të lëshojë urdhërarrest dhe të urdhërojë paraburgim.

© KOHA.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme