Botë

Plani Izraelit për të ndërtuar teleferik në Jerusalem kundërshtohet nga palestinezët

Një plan izraelit për ta funksionalizuar një teleferik mbi Jerusalem e deri te muret e Qytetit të Vjetër, ka zemëruar palestinezët.

Ata thonë se kjo do ta fshijë trashëgiminë e tyre në zonat ku ata kërkojnë ta krijojnë shtetin e tyre të ardhshëm, raporton KTV.

Teleferiku i propozuar do t’i transferojë rreth 3,000 turistë dhe besimtarë në orë, nga pjesa perëndimore e Jerusalemit në një udhëtim katër-minutësh.

Plani u avancua këtë javë, kur një komitet special i kryesuar nga ministri i Financave e dha miratimin.

Qeveria thotë se plani 63-milionë-dollarësh do të lehtësojë trafikun e rëndë në zonë, e cila dyndet me turistë dhe banorë që vizitojnë vendet e shumta fetare të krishtere, myslimane dhe hebreje.

Por, palestinezët thonë se teleferikët do të vendosen vetëm disa metra mbi shtëpitë e tyre në Jerusalemin Lindor.

Palestinezët e duan Jerusalemin Lindor, si kryeqytet i një shteti të ardhshëm.

Izraeli e aneksoi zonën pasi e pushtoi atë në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Projekti i teleferikut është i destinuar të jetë gati për vitin 2021.