NPR: Zyrtari i lartë i DASH-it anuloi planin e Reekerit për t’i dalë në mbrojtje ish-ambasadores amerikane në Ukrainë Foto: Reuters

NPR: Zyrtari i lartë i DASH-it anuloi planin e Reekerit për t’i dalë në mbrojtje ish-ambasadores amerikane në Ukrainë

27 October 2019 09:47

Philip Reeker, diplomati amerikan përgjegjës për çështjet evropiane, u ka thënë anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve se ka plane për të mbrojtur ish-ambasadoren e SHBA-së në Ukrainë, Marie Yovanovitch përballë një fushate njollosëse kundër saj, por Reeker është refuzuar nga zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit, sipas një personi të afërt me dëshminë e Reekerit.

Gjatë një seance të rrallë dëgjimore të shtunën, Reeker u mor në pyetje për më shumë se tetë orë nga ligjvënësit që po merren me hetimin për “impeachment”-in ndaj presidentit amerikan Doland Trump. Reeker u paraqit në bazë të një thirrjeje të lëshuar nga ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve, pavarësisht se ishte urdhëruar nga Trumpi që të mos bashkëpunojë, raporton mediumi NPR.

Reeker, oficer karriere për politikë të jashtme, u emërua ndihmës-sekretar i Shtetit në detyrë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Auro-aziatike në muajin mars, disa muaj para se Yovanovitchi të bëhej cak politik dhe u largua nga posti i saj, transmeton Koha.net.

Megjithatë, pak para largimit të saj, Reekeri deshi të hartonte një deklaratë me fjalë të ashpra nga zyrtarë të DASH-it për të goditur sulmet që ajo po i duronte nga mediat konservatore dhe nga aleatë të Trumpit. Por ajo letër u neutralizua nga David Hale, zyrtari i 3-të për nga hierarkia në DASH, sipas personit të afërt me dëshminë e Reekerit.

Yovanovitch është parë nga aleatët e Trumpit si një pengesë për të kryer politikën e jashtme në rrugë të fshehta me Ukrainën, përfshirë ngrirjen e rreth 400 milionë dollarëve ndihmë ushtarake derisa Ukraina të pajtohej të hetonte rivalin politik të Trumpit, Joe Bidenin dhe të birin e tij. Trumpi ka hedhur poshtë ndonjë keqbërje dhe “impeachment”-in ndaj tij e ka quajtur mashtrim.

Reekeri dëshmoi se ishte i vetëdijshëm për një plan për të ngrirë ndihmën ushtarake për Ukrainën, por nuk e ka ditur se përse ka ndodhur kjo, duke mos pasur njohuri të drejtpërdrejtë të skemës së pretenduar ‘quid-pro-quo’ (favor i kryer që pret diçka në këmbim të tij), ka thënë personi i afërt me Reekerin.

Politika ukrainase kryesisht është mbikëqyrur nga Kurt Volker, emisari i Trumpit për Ukrainën, dhe nga Gordon Sondland, ambasadori i SHBA-së në Bashkimin Evropian. Reeker, i cili pati një orar të ngjeshur të udhëtimeve dhe që është top-zyrtari i DASH-it për më shumë se 50 vende, nuk ka qenë i përfshirë intimisht me Ukrainën në kohën e telefonatës kontroverse që nxiti hetimin për “impeachment”, ka thënë personi që ka njohuri për dëshminë e Reekerit.

Reeker, i cili iu bashkua Departamentit të Shtetit më 1992, njihet nga kolegët për një profesionist apolitik reputacioni i të cilit admirohet.

“Ai vlerësohet si një profesionist i drejtë, e jo person lavdërues”, ka thënë në një intervistë për NPR-në, Dan Fried, ish-diplomat që është pensionuar në fillim të administratës Trump. “E kam njohur për një kohë të gjatë, dhe nuk e kam idenë se cilat janë politikat e tij. Ai është krejtësisht jo-partizan”.

Siç edhe ka qenë rasti me shumicën e dëshmitarëve në hetimin për “impeachment”, Demokratët dhe Republikanët kishin qëndrime të ndryshme.

Përfaqësuesi demokrat, Stephen Lynch nga Massachusetts tha se marrja në pyetje e Reekerit zgjati më shumë se që është pritur për shkak se ishte “një rezervuar shumë më i pasur i informatave se që kemi pritur fillimisht”, por ai nuk u zgjerua më shumë.

Në ndërkohë, përfaqësuesi republikan Mark Meadows nga Karolina Veriore tha se deklarata e Reekerit nuk dha asgjë për të avancuar hetimin.

“A ka shkelje për ‘impeachmen’ këtu? A kishte ‘quid pro quo’? Dhe tani kemi një zyrtar tjetër të lartë të Departamentit të Shtetit që nuk ofroi asnjë mbështetje për pretendimin”, tha Meadows.

Përkrahësit e hetimit për “impeachment” thonë se ka mjaftueshëm dëshmitarë dëshmitë e të cilëve krijojnë një bazë të fuqishme për shkelje që çojnë në “impeachment”.

Të martën, Ambasadori Bill Taylor paraqiti dëshminë e tij eksploduese para ligjvënësve ku ai përshkroi politikën e jashtme nëpër rrugë të fshehta me Ukrainën, e drejtuar nga avokati personal i Trumpit, Rudy Giuliani, ku pretendohet se ka pasur një përpjekje për të lidhur ndihmën ushtarake me hapjen e një hetimi për Bidenët nga autoritetet ukrainase.

Sikurse zyrtarë tjerë të DASH-it që kanë paraqitur dëshmitë e tyre si pjesë e hetimit për “impeachment”, edhe Reekeri u ftua pasi Komiteti për Inteligjencë i Dhomës së Përfaqësuesve i dërgoi thirrje atij pas një përpjekjeje nga Shtëpia e Bardhë për të bllokuar paraqitjen e tij.

Një ankesë nga një sinjalizues, që përqendrohej në telefonatën që Trumpi e kishte zhvilluar më 25 korrik me presidentin e Ukrainës, vuri në lëvizje hetimin për “impeachment” i cili po kryhet tani nga tri komisione të Dhomës së Përfaqësuesve. Shtëpia e Bardhë publikoi një transkripto të pjesshëm të telefonatës, ku Trumpi shprehimisht kërkoi nga presidenti ukrainas të hetojë rivalin e tij demokrat, Joe Bidenin, dhe të birin e tij Hunter, i cili për një kohë ishte pjesë e bordit të një kompanie ukrainase të energjisë. Trumpi po ashtu ia kujtoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiyt se SHBA-ja dërgon fonde ushtarake në vendin e tij.

Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë Mick Mulvaney pranoi se duket që ka një ‘quid pro quo’ në konferencën e shkurtër për shtyp këtë muaj, duke u thënë gazetarëve se ndikimi politik në politikën e jashtme nuk është i pazakontë. “Mësohuni me këtë”, tha Mulvaney, i cili më vonë tentoi të pastrojë komentet, të cilat Demokratët thanë se janë dëmtues.

Fried, ish-diplomat, tha të ketë parë institucione të pavarura e shërbyes civilë që sabotohen në vende komuniste gjatë karrierës së tij, përfshirë Jugosllavinë në fund të viteve të ’80-ta, por “ta shoh këtë në vendim tim është e tmerrshme”, tha ai. “I përgëzoj ata si Reekeri që i kundërvihen kësaj. Kjo tregon besnikërinë që kanë ndaj detyrës”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme