Në Britani miratohet substanca e marrëveshjes për Brexit, por shtyhet data e largimit

Në Britani miratohet substanca e marrëveshjes për Brexit, por shtyhet data e largimit

23 October 2019 09:22

Parlamenti britanik ka votuar në parim rreth një plani për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, mirëpo ka refuzuar kufizimet kohore të kryeministrit të këtij shteti, Boris Johnson, me arsyetimin se duhet më shumë kohë për të analizuar marrëveshjen që ka arritur ai me BE-në.

Kjo ka qenë hera e parë që ligjvënësit kanë miratuar substancën e marrëveshjes për Brexit, prej kur britanikët kanë votuar në referendumin e vitit 2016 për t’u larguar nga blloku evropian.

Megjithatë, veprimet e parlamentit nënkuptojnë se Johnson nuk do të arrijë ta largojë Britaninë nga BE-ja më 31 tetor, ashtu sikurse ishte zotuar kur kishte fituar pozitën e kryeministrit në muajin korrik.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka thënë se ai rekomandon që 27 vendet tjera të BE-së të miratojnë një shtyrje të datës për Brexit.

“Pas marrjes së vendimit të kryeministrit Boris Johnson për të ndalur përkohësisht procesin e ratifikimit të Marrëveshjes për Largim, dhe në mënyrë që të anashkalohet një Brexit pa marrëveshje, unë rekomandoj që 27 vendet e BE-së, të miratojnë kërkesën e Mbretërisë së Bashkuar për shtyrje. Për këtë propozoj një procedurë të shkruar”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Johnson është detyruar që të kërkojë shtyrje të datës për largim, pasi parlamenti britanik nuk ka votuar marrëveshjen për Brexit më 19 tetor.

Ai është raportuar të ketë nisur kërkesën e parë të panënshkruar, të përcjellë më vonë me një letër letër, duke e bërë të qartë se beson që shtyrja e këtij procesi është gabim.

Në mënyrë që të anashkalojnë një Brexit pa marrëveshje, ligjvënësit britanikë u pajtuan të shtunën që të mos miratojnë asnjë marrëveshje pa një legjislacion që zbaton atë, transmeton rel.

Ky vendim është përshëndetur nga qindra mijëra protestues kundër Brexitit, të cilët kanë marshuar para sheshit të parlamentit britanik, duke kërkuar mbajtjen e një referendumi të dytë.

Vendet tjera anëtare të BE-së, tani janë pajtuar dy herë për ta shtyrë datën e Brexitit, proces i cili fillimisht ishte planifikuar të finalizohej më 29 mars.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme