Botë

Politika lë në hije ndeshjen e futbollit

Foto: Reuters

Tensionet politike kanë kërcënuar ta lënë në hije ndeshjen kualifikuese për Evropian, mes Francës dhe Turqisë, ani pse trajnerët e dy përfaqësueseve deklaruan se përqendrimi do të jetë te futbolli.

Trajneri turk Senol Gunesh, tha se nuk dëshiron të japë deklaratë politike kur është pyetur nëse përshëndetja ushtarake e ekipit në momentin e shënimit të golit të fitores ndaj Shqipërisë, ishte shprehje e përkrahjes së sulmit turk në Siri.

“Fakti është se fëmijët tanë mund të jenë në vend të atyre ushtarëve... natyrisht se i përkrahim ushtarët tanë në Siri, por unë jam kundër çfarëdo dhune”, ka thënë Gunesh në konferencën për media, transmeton KTV.

UEFA ka deklaruar se do të hetojë nëse festa e turqve kundër Shqipërisë ka thyer rregullat që ndalojnë thirrjet politike dhe fetare.

Ndeshja mes Francës dhe Turqisë do të zhvillohet një ditë pasi presidenti francez Emmanuel Macron, i bëri thirrje presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, që të ndalë sulmin që sipas Macronit, mund të nisë një krizë të re humanitare.

Trajneri francez, Didier Deschamps, la anash politikën, duke thënë se ekipi i tij do të përqendrohet vetëm në futboll.

Mediat turke kanë raportuar se rreth 30 mijë tifozë turq do të jenë të pranishëm në Stade de France.