Botë

Trumpi, me sarkazëm, thotë se 16-vjeçaren Thunberg e pret e ardhme e ndritur

Presidenti amerikan e ka komentuar me sarkazëm fjalimin e aktivistes së re për mjedis, Greta Thunberg, në OKB.

Suedezja 16-vjeçare foli për mosveprimin e politikanëve ndaj ndryshimeve klimatike, raporton KTV.

Dukshëm e zemëruar dhe emocionuese, Thunbergu shpejt mori vëmendjen e botës.

E, duke e postuar një video të fjalimit, Donald Trumpi komentoi se 16-vjeçarja dukej ‘shumë e lumtur’, në atë që po konsiderohet përgjigje sarkastike ndaj suedezes.

“Ajo duket si një vajzë e re shumë e lumtur që e pret një e ardhme e ndritshme dhe e mrekullueshme”, shkroi Trumpi.

E në fjalimin e saj, Thunberg kishte thënë se të rinjtë janë të zhgënjyer dhe kanë filluar të kuptojnë tradhtinë e politikanëve.

“Sytë e të gjithë brezave të ardhshëm janë mbi ju dhe nëse vendosni të dështoni, nuk do t'ju falim kurrë", tha mes të tjerash Thunbergu, në OKB.