Botë

Kampi Al-Hol në Siri, burim i ri i ekstremizmit

Në një nga kampet që ka numrin më të madh të familjarëve të pjesëtarëve të grupit militant Shteti Islamik në Siri, Al-Hol, raportohet se ende është e fuqishme bindja ekstremiste mes grave dhe fëmijëve të pjesëtarëve të IS-it.

Monitoruesit ndërkombëtarë raportojnë për mungesë të sigurisë brenda këtij kapmi si dhe besnikërinë ndaj praktikave ekstremiste që shpërfaqin gratë dhe fëmijët që jetuan në territoret që kontrollonte grupi militant IS.

Përderisa burrat janë të burgosur në vende të tjera jashtë kampit, siç shkruan Uashington Post, brenda hapësirave të kampit Al-Hol, gratë e pjesëtarëve të IS-it janë duke iu qëndruar besnik praktikave që aplikonin në kohën sa jetonin nën administrimin e grupit militant Shteti Islamik.

Brenda kampit raportohet se është duke u rritur shkalla e agresivitetit si dhe bindjet ekstremiste.

“Disa roje janë therur me thika të kuzhinës të cilat gratë i kanë fshehur në rrobat e tyre”, raporton Uashington Post.

Po ashtu raportohet se një grua që kishte jetuar nën grupin militant Shteti Islamik, u vra natën brenda kampit pasi kishte folur për mediat ndërkombëtare.

Në kamp jetojnë 70 mijë persona dhe prej tyre 50 mijë janë fëmijë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.