Botë

Italia shkon në zgjedhje të parakohshme, Kryeministri paralajmëron dorëheqjen

Foto: Reuters

Kryeministri italian e ka paralajmëruar dorëheqjen e tij të martën, derisa ka drejtuar kritika të ashpra në adresë të ministrit të tij të Brendshëm, Matteo Salvini, duke e akuzuar se ai e kishte fundosur koalicionin qeverisës dhe kishte rrezikuar ekonominë për përfitime ekonomike dhe politike.

Kryeministri Giuseppe Conte, duke iu drejtuar parlamentit që ishte thirrur gjatë pushimit veror për të vendosur për të ardhmen e qeverisë që ende nuk e ka bërë një vit, e ka akuzuar shefin e partisë Liga, Salvinin se ka synuar të përfitojë nga popullariteti i tij në rritje, raporton Reuters.

“Salvini e ka dëshmuar se është duke i ndjekur pas interesat e veta dhe të partisë së tij”, ka thënë Conte para Senatit të stërmbushur, me Salvinin e ulur pranë tij. “Vendimet e tij përbëjnë rrezik për këtë shtet”, transmeton “Koha Ditore”.

Conte që nuk i takon asnjërës prej partive të koalicionit, ka thënë se dorëheqjen e tij do ta dorëzojë më vonë gjatë ditës, gjë që ia mundëson kryetarit të shtetit t’i fillojë konsultat formale me partitë, për të parë nëse mund të krijohet një koalicion i ri.

Ai i ka bërë kritikat e tij të ashpra teksa Salvini qëndronte i ulur afër tij, herë pas here duke e lëkundur kokën dhe duke i rrotulluar sytë.

Në anën tjetër të Contes ishte i ulur Luigi di Maio, kryetari i partisë tjetër në koalicion, lëvizjes “5 Yjet”, e cila është etiketuar si obstruksioniste nga Salvini gjatë 12 ditëve të kaluara, qëkur ai ndërpreu aleancën e tyre.

Salvini ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, tre vjet e gjysmë para afatit, i bindur se popullariteti i tij do t’ia sigurojë kryeministërllëkun dhe ta lërë lëvizjen 5 Yjet në opozitë