Javën e kaluar, ish-kryeministrja e arratisur tajlandeze, Yingluck Shinawatra, e cila u dënua në Tajlandë me pesë vjet burgim nën akuzën për ryshfet, ka marrë zyrtarisht shtetësinë serbe.
Agjencia shtetërore serbe e lajmeve “Tanjug” raportoi të enjten se qeveria serbe i ka dhënë asaj shtetësinë “sepse mund të jetë në interes të Serbisë”. Zyrtarët serbë nuk e kanë komentuar arsyen e këtij vendimi.
Një dekret qeverie përmes të cilit iu dha asaj shtetësia, u publikua në qershor në gazetën zyrtare të Serbisë, transmeton Koha.net.
Me pasaportën serbe, Shinawatra mund të udhëtojë pa vizë në 100 vende të botës, përfshirë shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian.
Ajo iku nga Tajlanda në vitin 2017, para se të dënohej për drejtimin e një skeme të subvencionimit të orizit që i kushtoi Tajlandës miliarda dollarë. Ajo dhe mbështetësit e saj thonë se çështja ishte e motivuar politikisht.
Ajo i iku drejtësisë dhe raportohet se shkoi në Londër përmes Dubait, ku banon vëllai i saj miliarder, ish-kryeministri Thaksin Shinawatra, i cili po ashtu u largua nga Tajlanda duke u përballur po ashtu me akuza për korrupsion, raporton “The Associated Press”.
Ata të dy u zgjodhën kryeministra, por u rrëzuan nga një grusht-shtetet ushtarake - Thaksini në 2006 dhe Yinglucku në vitin 2014. Edhe pse ata jetojnë në ekzil, të dy gëzojnë një mbështetje të konsiderueshme në pjesët rurale dhe më të varfra të Tajlandës.
Thaksini ka nënshtetësi të një vendi tjetër ballkanik, të Malit të Zi, të cilën e mori më 2009.
Ministria e Jashtme e Tajlandës nuk pati asnjë reagim të premten për raportimet për ish-kryeministren e vendit.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme tajlandeze, Busadee Santipitaks, kishte thënë të premten se nuk ishte në gjendje ta komentonte raportimet nga Serbia, dhe se ministria e Jashtme serbe nuk kishte kontaktuar me homologun e saj në Tajlandë.