Një pjesë e madhe e Manhatanit, New York, u mbërthye nga terri të shtunën pas një shpërthimi në një trafostacion gjë që la pa rrymë metrotë, dyqanet dhe teatrot e Broadwayt, por kompania për mirëmbajtjen e energjisë elektrike tha se rryma është kthyer në pjesën më të madhe të vendit brenda pak orëve.
Nuk është raportuar për ndonjë vrasje apo lëndim si pasojë e mungesës së rrymës, e cila u shkaktua në orën 22:47. Kjo mungesë e rrymës përkon me 42 vjetorin kur pjesë të mëdha të Manhatanit mbetën pa rrymë, por që atëherë pati shumë vjedhje dhe trazira në qytetin më të popullarizuar amerikan, raporton Reuters.
“Fluturova mbi qytet dhe shumica e dritave janë kthyer, është e dukshme. Jo të gjitha janë kthyer, gjë që është po ashtu e dukshme”, ka thënë Guvernatori i shtetit të New Yorkut, Andrew Cuomo, gjatë një konference për media rreth 5 orë pasi qyteti u pushtua nga terri. “Është gjendje kaotike tani në Pjesën Perëndimore, pa dyshim”, transmeton Koha.net.
Deri në mesnatë, rryma ishte kthyer për pjesën më të madhe të konsumatorëve. Por, mbi 73 mijë shtëpi dhe biznese mbetën pa rrymë për disa orë.
Me t’u kthyer rryma, në pjesë të Manhatanit dëgjoheshin britma gëzimi.
Shkaktari i kësaj avarie mbetet i paqartë.
Një dëshmitar i Reutersit ka thënë të ketë dëgjuar një shpërthim rreth orës 23:00.
Trotuaret në sheshin “Times Square”, që zakonisht janë të mbushura me njerëz, mbrëmë ishin disa herë më shumë të mbushura me turistë pasi disa teatro në Broadway anuluan peformancat.
Në përpjekje për t’i argëtuar masat, kasta e mjuziklit “Come From Away” performoi një këngë para derës së skenës. Edhe pjesëtarë tjerë të kastës performuan në rrugë.
New Yorku është përballur me mungesë energjie elektrike edhe në të kaluarën, dhe e fundit është ajo e super-stuhisë “Sandy” më 2012 por edhe në vitin 2003 kur pa rrymë mbetën shumë vende në SHBA për një ditë të tërë.
Më e rënda ishte ajo kur më 13 korrik të vitit 1977 i tërë New Yorku mbeti pa rrymë, dhe në qytet nisën trazira e vjedhje nëpër dyqane. Rryma nuk u kthye deri të nesërmen.
{gallery}