Botë

Vajza mburojë e Hong-Kongut

Terri ka rënë. Turma është rralluar. Një vajzë e vetme, në pozitë meditimi, rri ulur përpara një vargu policësh. Kjo pamje është shndërruar në imazh ikonik të demonstratave të Hong-Kongut. 

“Trimëri përballë brutalitetit. Shumë bukur”, ka shkruar një përdorues i Twitterit. “Pafajësia e rinisë dhe mburojat e protestuesve ndaj autoritetit”, ka shkruar gazetari irlandez me seli në Hong-Kong, Aaron Mc Nicholas. E cilësuar tanimë si “Vajza mburojë”, kjo e re ka frymëzuar madje vepra arti nga artistët më të shquar disidentë të Kinës, si Badiucao. Emri i saj është Lam Ko La. 

Njëzetegjashtëvjeçarja mbërriti e vetme në lagjen “Amiralty”, aty ku ndodhet selia e përgjithshme e Qeverisë. Ishte e marte mbrëma, pak orë para tubimit të organizuar prej Fondit Civil të të Drejtave të Njeriut, shkruan sot Koha Ditore.

Kishte me qindra protestues përreth saj, por përherë e më shumë policë me pajisje si për luftë po mbërrinin në atë pikë.

Meditim e zemërim

“Ç’është e vërteta askush nuk e kishte guximin t’i qëndronte kaq pranë rreshtit të policëve”, ka thënë ajo, duke shtuar se ajo vetë nuk ia kishte frikën policisë, por druante se protestuesit e tjerë mund të lëndoheshin. 

Kësisoj nisi të meditonte dhe ta pëshpëriste maksimën “Om”, kur tensionet po përshkallëzonin. “Thjesht doja që t’i përçoja mendimet e mia pozitive”, tha ajo. 

“Ama protestuesit po ashtu i fyenin policët. Në atë moment, thjesht dëshiroja që protestuesit e tjerë të uleshin pranë meje dhe jo të ziheshin me ta”. Ama gruaja e re nuk dëshiron që të bëhet fytyra e protestave...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)