Botë

Trumpi me thumbime nis vizitën në Britani

Pak minuta para se aeroplani presidencial të ateronte në Stansted, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ende pa shkelur në Londër thumboi kryetarin e kryeqytetit britanik, Sadiq Khan.

E kur aeroplani “Air Force One” ateroi në Londër, Trumpi u prit nga sekretari i jashtëm, Jeremy Hunt, njëri prej kandidatëve në garën e të parit të partisë konservatore.

Por pak para se t’ia shtrëngonte dorën atij, Trumpi nga ulësja e aeroplanit kritikoi Khanin përmes Twitterit, duke e quajtur humbës gjakftohtë që më shumë duhet të përkujdeset për të luftuar krimin në Londrës sesa për politikat e tij.

Marrëdhëniet edhe ashtu të përkeqësuar mes Trumpit e Khan u acaruan edhe më tej kur kryetari i Londrës deklaroi se Britania nuk duhet t’ia shtrojë tepihun e kuq Trumpit për shkak se politikat e tij nuk i përkasin shoqërisë britanike, ani pse SHBA-ja është aleat kryesor i Britanisë.

Ndërsa gjatë javës së kaluar, Trumpi duke komentuar për liderin e ri të partisë konservatore në Britani, tha se Boris Johnsoni do të ishte lider i shkëlqyer e vetë Britanisë i bëri thirrje për largim nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje.

Postimin e Trumpit në Twitter e ka komentuar sekretari i jashtëm britanik.

“I thashë se do ta mirëpresim, sepse Amerika është aleati ynë kryesor dhe jemi të lumtur që e mori me vete edhe familjen e tij. Përmendi disa mendime për kryetarin e Londrës të cilat i pashë në Twitter, por janë mendime të tij. Nuk do të tregoj saktësisht se çfarë tha, por mendoj se nuk do ta ftojë Sadiq Khanin për një kohë të gjatë në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Jeremy Hunt, Sekretar i Jashtëm i Britanisë, transmeton KTV.

Në ditën e tij të parë të kësaj vizite treditore, Trumpi është takuar me familjen mbretërore me të cilën edhe do të darkojë.

Edhe anëtarë të kësaj familjeje i ka ofenduar. Ditë më parë, tha se nuk e dinte që dukesha Meghan Markle është kaq e mbrapsht.

Të martën, presidenti amerikan do të takohet me kryeministren në ikje, Theresa May.

Me të, ai do të bisedojë për ngrohjen globale dhe për kompaninë kineze Huawei.

E kundërshtuesit e Trumpit do të protestojnë nëpër Londër, Manchester, Belfast e Birmingham.