Botë

Kurzit i rrezikohet posti pasi e djathta ekstreme zotohet ta mbështesë mocionin e mosbesimit

Descriptive Text

Parlamenti austriak pritet që ta shkarkojë të hënën kancelarin, Sebastian Kurz, pasi ligjvënësit e Partisë së Lirisë (FPO) të së djathtës ekstreme u pajtuan që ta mbështesin mocionin e mosbesimit të ngritur kundër Qeverisë së tij kalimtare.

Konservatorët e Kurzit dolën të parët në zgjedhjet e së dielës për Parlamentin Evropian, të mbajtura vetëm një javë pas shpërthimit të video-skandalit, i cili nxiti nënkancelarin dhe shefin e FPO-së, Heinz-Christian Strache, që të japë dorëheqje ndërsa Kurzin që ta prish koalicionin mes dy partive, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Lideri i FPO-së dha dorëheqje nga të gjitha postet politike pas publikimit të videos, në të cilën ai shihet tek diskuton rreth arritjes së kontratave qeveritare. Videoja ishte bërë publike nga dy prej mediave më të mëdha të Gjermanisë.

Kurz shpreson që ta shfrytëzojë administratën e tij të përkohshme si shtysë për rizgjedhje, duke u prezantuar si viktimë e krizës politike të vendit të nxitur nga partneri i koalicionit. Por meqë zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet që të mbahen në shtator, partitë opozitare thonë se Kurzi duhet ta mbajë përgjegjësinë për pjesën e tij të fajit.

Dy mocione mosbesimi, njëra kundër vetë Kurzit dhe tjetra kundër tij dhe Qeverisë së tij, do të mbahen më vonë gjatë të hënës në Parlamentin austriak.