Botë

OBSH ka shpenzuar miliona dollarë për udhëtime luksoze

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpenzuar 192 milionë dollarë për udhëtime, ndërsa punëtorët shpesh thyenin rregullat e agjencisë, duke udhëtuar në biznes klasë apo duke rezervuar bileta të shtrenjta të minutës së fundit e shpesh pa miratimin e shefave.

Në një hulumtim që ka kryer agjencia Associated Press në bazë të dokumenteve të auditorit, thuhet se stafi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka dhënë arsyetime të paqëndrueshme rreth udhëtimeve, derisa ka shfrytëzuar zbrazëtitë ligjore për të udhëtuar me biznes klasë, që është shumëfish më e shtrenjtë se klasa ekonomike.

192 milionët e shpenzuara janë 4 për qind më pak sesa në vitin 2017 kur organizata është shpreh e gatshme për të ndalur abuzimin me udhëtime, përsëri pas një hulumtimi që kishte bërë Associated Press, transmeton KTV.

Në dokumentet e auditorit, thuhet se ky skandal dhe paaftësia e organizatës për të ndalur keqpërdorimet, do t’ia vështirësojë punën në marrjen e donacioneve që të luftojë kriza të ndryshme shëndetësore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë që është pjesë e Kombeve të Bashkuara ka një buxhet vjetor prej 2 miliardë dollarësh, të cilat rrjedhin nga kontributet e taksapaguesve të vendeve anëtare. E kontribuuesi më i madh është SHBA-ja.

OBSH-ja ka tentuar të arsyetohej, duke deklaruar se udhëtimet shpesh janë të nevojshme për të arritur te njerëzit në nevojë dhe më shumë se gjysma e shpenzimeve të udhëtimeve u shkojnë ekspertëve të huaj që vijnë nga vendet e zhvilluara.

Në vitin 2017, AP-ja kishte raportuar se OBSH-ja kishte shpenzuar 200 milionë çdo vit, përfshirë bileta të klasit të parë dhe hotele me pesë yje për shefat e organizatës.