Anarkistët sulmojnë rezidencën e ambasadorit amerikan në Athinë Foto: Ambasada Amerikane

Anarkistët sulmojnë rezidencën e ambasadorit amerikan në Athinë

15 May 2019 09:49

Organizata anarkiste “Rubikon” ka gjetur një mënyrë aspak të këndshme për të shprehur kundërshtinë e saj, për mosdhënien e një lejeje të posaçme për ekzekutorin e organizatës terroriste “17 Nëntori”, Dimitris Kufodinas.

Anëtarë të kësaj organizate hodhën ngjyrë të zezë dhe një bombë tymuese jashtë banesës së ambasadorit amerikan në Athinë, raporton Tch.

Sipas organizatës, anëtarë të saj mundën të thyejnë kordonin e sigurisë dhe, pasi hodhën parulla dhe lyen me ngjyrë të zezë muret e banesës së ambasadorit, mundën të largohen pa u shqetësuar.

Madje, vet organizata publikoi një video të operacionit të kryer prej anëtarëve të saj rreth orës 4 të mëngjesit.

Qeveria greke dënoi aktin e paprecedentë dhe premtoi dërgimin e anëtarëve të organizatës përpara drejtësisë. Vet amabasadori amerikan, Geoffrey Pyatt publikoi në Twitter lajmin e sulmit.

“Mirëmëngjesi, u zgjova për të parë vandalizëm fëmijëror jashtë rezidencës dhe do të vazhdoj të punoj me autoritetet greke për të ndëshkuar kryesit e kësaj vepre sipas ligjit. Dëmtimi i pronës nuk është protestë paqësore”, ka shkruar Pyatt në Twitter.

Refuzimi i lejes disaditore për të dalë nga burgu për Dimitris Kufodinas ka sjellë reagime të ashpra në radhët e anarkistëve dhe militantëve të majtë grekë, të cilët thonë se Kufodinas i janë shkelur të drejtat. Kufodinas është dënuar me 12 burgime të përjetshme për 12 vrasje të kryera prej organizatës famëkeqe terroriste, aktiviteti i së cilës përfundoi në vitin 2003.

Më herët, anarkistët kishin sulmuar me bomba molotov dhe gurë forcat e rendit në zonën “Eksarkia” të Athinës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme