Botë

Stevo Pendarovski shpallet zyrtarisht fitues i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Foto: Reuters

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i zyrtarizoi sot rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 5 majit në Maqedoninë e Veriut, duke shpallur Stevo Pendarovskit si president të ri të vendit.

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konstatoi se Stevo Pendarovski është zgjedhur për president të republikës, si kandidat që fitoi shumicën e votave”, tha kryetari i Komisionit, Oliver Derkovski.

Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski pasi mori certifikatën nga KSHZ, foli për punën që e pret, duke theksuar reformat sidomos në shërbimet e kundërzbulimit, ndërsa la të kuptohej se me formimin e ekipit të këshilltarëve ligjorë do të nënshkruajë ligjet e miratuara nga parlamenti, të cilat refuzonte t’i dekretonte presidenti në largim Gjorgje Ivanov, raporton Zëri i Amerikës.

Certifikata është në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip.

Pritet që të dielën Pendarovski të marrë zyrtarisht detyrën. Ai do të bëjë betimin në Parlament e më pas do të zhvillohet ceremonia në Presidencë në prani dhe të Gjorgje Ivanovit.

“Të gjithë punonjësve në presidencë do t’u them se nuk kanë përse të frikësohen. Nuk do të ketë revanshizëm politik, kuptohet për ata të cilët këto vite kanë punuar në pajtim me ligjet”, tha Pendarovski duke shtuar se “punonjësit nuk do të hetojnë se ka një njeri të ri në kabinet”.

Ai tha se ky duhet të jetë një parim për të gjitha institucionet gjatë çdo ndërrimi të pushtetit.

“Revanshizmi politik duhet t’i lihet së kaluarës. Jemi pak dhe njihemi; kush ka shkelur ligjin do të përgjigjet, ndërsa kush e bën punën në mënyrë profesionale duhet të vazhdojë aty ku është, pa marrë parasysh përkatësinë e tij politike”, tha presidenti i ri maqedonas, Pendarovski.

Ai bëri të ditur se për katër persona nga Agjensia e Kundërzbulimit, për të cilët po zhvillohen hetime, nuk do të kenë vend në këtë institucion.

Stevo Pendarovski është presidenti i pestë i Maqedonisë së Veriut, që prej pavarësisë nga ish-Jugosllavia.

Në ceremoninë e inaugurimit të tij të dielën (12 maj) pritet të marrin pjesë kryetarë shtetesh e zyrtarë të lartë nga vendet e rajonit e më gjerë.