Botë

Aeroplani Boeing 737 rrëshqet në një lum të Floridës, lëndohen 21 udhëtarë

Një aeroplan i kompanisë Boeing që po udhëtonte nga Guantanamo e Kubës me 143 persona, rrëshqiti në një lum të Floridës të premten, si pasojë e vetëtimës, gjatë aterrimit në një bazë ushtarake, duke lënë të lënduar 21 persona.

Nuk ka pasur raportime të viktimave apo lëndimeve të mëdha. Autoritetet theksuan se 21 personat u vendosën në spital dhe konsiderohet të jenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Aeroplani Boeing 737-800 që arriti nga Guantanamo me 136 pasagjerë dhe 7 anëtarë të ekuipazhit, u përplas në lumin Shën Xhons, njoftoi një zëdhënës i bazës ajrore të Floridës.

Kryetari i qytetit Xheksonvill, Lenny Curry, tha se presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka telefonuar menjëherë për të ofruar ndihmë.

Prodhuesi më i madh i aeroplanëve në botë, Boeing, nxori nga përdorimi gjithë flotën e avionëve 737 Max, pas dy aksidenteve të mëdha me qindra viktima.

Kompania amerikane Boeing tha se do t'i pezullojë fluturimet e të 371 avionëve.

Administrata Federale e Aviacionit në SHBA, tha se provat e reja dhe të dhënat satelitore nxitën vendimin për ndalimin e përkohshëm të avionëve.

Nga rrëzimi i avionit i kompanisë ajrore të Etiopisë, humbën jetën të 157 njerëzit në bord.

Tetorin e kaluar, një avion i Boeing-ut, po ashtu i llojit 737 Max, është rrëzuar në Indonezi, duke shkaktuar vdekjen e të 189 njerëzve në bord.