Biden shpall të enjten kandidaturën për President

Biden shpall të enjten kandidaturën për President

24 April 2019 00:30

Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, nën Presidencën e Barack Obamës, pritet të shpallë nga kjo e enjte fushatën e tij për të garuar për president të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e vitit 2020.

Raportime të tilla janë dhënë nga shumë medie, amerikane dhe ndërkombëtare, ndërsa burime të “The Guardian” pranë Biden kanë thënë se ai pritet ta shpallë kandidaturën, përmes një videoje që do të publikohet ditën e enjte, ndërkohë që planifikon të zhvillojë një takim në Pittsburgh të hënën e ardhshme.

Biden pritej gjerësisht që ta çelte fushatën presidenciale këtë të mërkurë, përpara se të shtynte vendimin. Sondazhet paraprake tregojnë se Biden do të ishte preferenca kryesore në mesin e demokratëve, por nën konkurrencën e fortë të senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders, i cili do të mbajë edhe statusin e sfiduesit.

Ndërkohë, nga Shtëpia e Bardhë vijnë lajme negative për korrespondentët. Darka e përvitshme që shtrohet për Shoqatën e Korrespondentëve do të bojkotohet nga zyrtarët e lartë të administratës “Trump”, sipas një urdhri të publikuar fillimisht nga CNN.

Gjatë viteve të kaluar, kjo darkë është shfrytëzuar për kritika e ironi mes njerëzve të medies dhe qeveritarëve, e zakonisht ka përfshirë edhe kritika ndaj presidentit, i cili gjithsesi ka qenë i pranishëm edhe vet aty. Por jo Trump. Ai nuk ishte as vitin e kaluar, e këtë vit, jo vetëm që nuk do të marrë pjesë personalisht, por nuk do askënd nga administrata të shkojë atje./tch

Komentet

Shto koment

Të ngjashme