Botë

Takimi Kim-Putin, të enjten në Vladivostok

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, do ta vizitojë së shpejti Rusinë për një samit me presidentin, Vladimir Putin, kanë raportuar të martën mediat shtetërore koreanoveriore, teksa një gazetë ruse ka shkruar se takimi mes dyshes do të ndodh të enjten në Vladivostok.

Vizita e Kimit është pjesë e përpjekjeve të liderit koreanoverior për të siguruar mbështetje të jashtme për planet e tij të zhvillimit ekonomik, pas dështimit të samitit të dytë SHBA-Kore e Veriut, gjatë shkurtit të këtij viti në Vietnam, si pasojë e mospajtimeve rreth heqjes së sanksioneve ndaj Fenianit, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Agjencia shtetërore koreanoveriore (KCNA) ka raportuar të martën se vizita do të ndodhë së shpejti, por nuk ka përcaktuar ndonjë afat kohor apo lokacion. Gazeta ruse “Kommersant” ka shkruar se vizita është përcaktuar për 25 prill në Vladivostok, duke cituar dy burime të afërta me procesin e përgatitjes së vizitës.

Kremlini nuk ka dhënë ndonjë koment zyrtar lidhur me raportin, por zëdhënësi i saj, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve të hënën se Putin dhe Kim janë duke u përgatitur për një takim gjatë fundit të prillit. Ndërkaq, agjencia koreanojugore e lajmeve “Yonhap” ka raportuar se ndihmësi kryesor i Kimit, Kim Chang Son, është parë në Vladivostok të dielën.