Botë

Turqia arreston agjentë të dyshuar të Emirateve të Bashkuara Arabe, heton lidhjen me rastin Khashoggi

Descriptive Text

Autoritetet turke kanë arrestuar dy operues të inteligjencës, të cilët kanë pranuar t’i kenë spiunuar shtetasit arabë në emër të Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe kanë nisur hetimet për të konstatuar nëse mbërritja e njërit prej tyre në Turqi ishte e lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ka bërë të ditur të premten një zyrtar i lart turk.

Njëri prej dy të arrestuarve kishte mbërritur në Turqi gjatë tetorit të 2018-s, pak ditë pas vrasjes së Khashoggit brenda konsullatës saudite në Stamboll, ka thënë zyrtari, duke shtuar se tjetri ka mbërritur më vonë për ta ndihmuar kolegun gjatë punimeve, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

“Jemi duke hetuar nëse mbërritja e të arrestuarit të parë në Turqi ishte e lidhur me rastin e Jamal Khashoggit”, ka thënë zyrtari, duke shtuar se ky person ishte mbajtur nën vëzhgim gjatë gjashtë muajve të fundit. “Ka shumë të ngjarë se ka ndodhur një përpjekje për mbledhjen e informatave rreth arabëve, përfshirë disidentët politikë, që jetojnë në Turqi”.

Arrestimet janë bërë të hënën në Stamboll, si pjesë e hetimeve të kundërinteligjencës. Zyrtarët turq kanë konfiskuar një kompjuter me të dhëna të enkriptuara brenda saj, që ishte fshehur në një dhomë të asaj që ata e quajtën “bazë e rrjetit spiunues”. Zyrtari, i cili foli nën kushtin e anonimitetit, tha se deklaratat e të arrestuarve sugjerojnë se operacioni i tyre i Inteligjencës kishte në shënjestër studentët dhe personat që kanë përfituar azilin politik në Turqi.