Botë

Trumpi i vë veto rezolutës së Kongresit - përfshirja amerikane në luftën në Jemen vazhdon

Foto: Reuters

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka vënë veto rezolutës së Kongresit që synonte ta ndalë përfshirjen amerikane në luftën e udhëhequr prej sauditëve në Jemen, ka bërë të ditur të marten Shtëpia e Bardhë.

“Kjo rezolutë është e panevojshme dhe përpjekje e rrezikshme për dobësimin e kompetencave të mia kushtetuese, duke i vënë në rrezik jetët e qytetarëve amerikane dhe ushtarëve trima, si sot, ashtu edhe në të ardhmen”, ka thënë presidenti amerikan, raporton “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Rezoluta ishte miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë prillit dhe në Senat gjatë marsit, duke e shënuar herën e parë që të dyja Dhomat e Kongresit e kishin miratuar një rezolutë për Kompetencat e Luftës, që kufizon mundësitë e presidentit për t’i dërguar trupat në fushatë.

Përkrahësit e kësaj mase kanë thënë se fushata saudite e bombardimeve në Jemen e ka përkeqësuar krizën humanitare, duke e kritikuar ashpër Riadin për vrasjen e civilëve.