“Notre Dame” do të rindërtohet pas djegies

15 April 2019 19:21
23:57

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se do të nisë një fushatë ndërkombëtare për financimin e rindërtimit të katedrales “Notre Dame” që sot u përfshi nga flakët.

Djegien e katedrales së Parisit ai e ka quajtur tragjedi të tmerrshme.

Megjithatë, Macron ka shtuar se më e keqja është shmangur dhe se “Notre Dame” tash do të rindërtohet.

22:59

“Notre Dame” nuk është shkatërruar tërësisht

Një zyrtar i zjarrfikësve në Paris ka thënë se zyrtarisht struktura e katedrales “Notre Dame” ka shpëtuar nga shkatërrimi total.

Edhe në Ministrinë e Brendshme franceze janë shprehur optimist se katedralja nuk do të shkatërrohet tërësisht, raporton Reuters.

Sipas disa raportimeve në mediat franceze, ajo që ka shpëtuar është fasada, thesari si dhe shumica prej veprave të artit.

Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se janë shpëtuar dy kambanoret.

Një zjarrfikës është i lënduar rëndë.

22:14

Franca i përgjigjet Trumpit për sugjerimin si të ndalet zjarri në “Notre Dame”

Agjencia franceze për sigurinë civile “Securite Civile” i është përgjigjur presidentit amerikan, Donald Trump, për sugjerimin e përdorimit të fikjes nga ajri për zjarrin në katedralen “Notre Dame” në Paris.

Agjencia ka shkruar në Twitter se hedhja e ujit në sasi të madhe nga ajri mund të çonte në kolapsimin e gjithë strukturës nëpër objekte si kjo e “Notre Damet”.

“Pesha e ujit dhe intensiteti i rënies në lartësi të ulët mund të dobësojnë strukturën e Notre Damet dhe si rezultat mund të shkaktojë dëme edhe në objektet në afërsi”, ka thënë më tej kjo agjenci.

Agjencia është pjesë e Ministrisë së Brendshme të Francës.

21:54

Parisi hyn në orën vendimtare për të parë nëse mund ta ndalë zjarrin në “Notre Dame”

Zëdhënësi i departamentit të zjarrfikësve në Paris ka thënë se Franca ka hyrë në orën vendimtare për të parë nëse zjarri në katedralen “Notre Dame” mund të ndalet.

Zjarri ka disa orë që ka përfshirë simbolin e Parisit.

Akoma nuk dihen shkaqet që çuan në këtë zjarr.

20:08

Bie çatia e katedrales “Notre Dame”

Si pasojë e zjarrit të madh ka rënë totalisht çatia e katedrales “Notre Dame” në Paris të Francës.

 

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se është tejet i pikëlluar për djegien e “Notre Damet”.

"Jam i pikëlluar të shoh sonte se si një pjesë e gjithë neve po digjet", ka shkruar ai në Twitter.

Deri tash s’është raportuar për të lënduar, ka bërë të ditur ministria e Brendshme e Francës.

Në anën tjetër, zyra e prokurorit në Paris ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me rastin.

 

19:21

Zjarr në katedralen “Notre Dame” në Paris

Një zjarr i madh ka përfshirë katedralen Notre-Dame në qendër të Parisit të hënën në mesditë.

Nuk dihej fillimisht se çka shkaktoi zjarrin. Televizioni “France 2” raporton se policia po e trajton incidentin si një aksident.

Katedralja, që daton nga shekulli XII, vizitohet nga miliona turistë çdo vit, transmeton Koha.net.

Një ekip i madh i zjarrfikësve është në aksion për të ndalë zjarrin, ndërsa një hapësirë e madhe përreth është zbrazur nga njerëzit.

“Notre-Dame” ishte duke u renovuar.

Si pasojë e këtij zjarri, presidenti francez Emmanuel Macron ka anuluar planin për të mbajtur fjalim drejtuar kombit francez, ka njoftuar zyra presidenciale.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkruar menjëherë në Twitter për këtë incident.

“E tmerrshme të shohësh zjarrin masiv në katedralen Notre Dame në Paris. Ndoshta duhet përdorur ujin nga ajri për t’i ndalur. Duhet të veprohet shpejt”, ka shkruar ai.

Gjermania i ka dhënë mbështetjen e saj Francës pas zjarrit të madh që po shkatërron sot katedralen Notre Dam në Paris, simbol i Francës.

“Këto imazhe të tmerrshme të Notre Dam në zjarr të trishtojnë. Notre Dam është një simbol i Francës dhe kulturës tonë evropiane. Ne jemi në mendime me miqtë francezë”, ka shkruar në “Twitter” zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme