Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, la të kuptohet se armiqtë e tij politikë mund t’i shpaguajnë “gjërat e këqija” që i kanë bërë.
Komentet u bënë pas publikimit të përmbledhjes së raportit të këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, i cili konstatoi se ai nuk ka bërë komplot me Rusinë, që kjo e fundit të ndërhyjë në zgjedhjet e vitit 2016, për të ndihmuar zgjedhjen e Trumpit president.
Raporti, megjithatë, nuk nxori përfundim nëse Trump ka bërë përpjekje ose jo për të penguar drejtësinë.
“Ka shumë njerëz që kanë bërë gjëra shumë, shumë të këqija. Do të thosha gjëra të pandershme kundër vendit tonë”, tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, por pa përmendur askënd me emër dhe pa përmendur ndonjë veprim specifik.
“Këta njerëz do të vëzhgohen”, tha Trump.
Duke folur në Zyrën Ovale, ai tha se asnjë president tjetër nuk duhet të hetohet për “tregime të rreme”.
“Ka qenë një tregim i rremë, një gjë e tmerrshme, nuk mund të lejojmë që kjo t’i ndodhë ndonjë presidenti tjetër”, tha Trump.