Gjykata shpall fajtorë 16 persona për sulmin në Parlamentin maqedonas Foto: AFP

Gjykata shpall fajtorë 16 persona për sulmin në Parlamentin maqedonas

15 March 2019 16:59

Një gjykatë e Shkupit dënoi sot ish-ministrin e Brendshëm, Mitko Çavkov me 18 vite burgim dhe pesëmbëdhjetë të tjerë me dënime të rënda me burgim për rolin e tyre gjatë pushtimit me dhunë të parlamentit të Maqedonisë së Veriut më 27 prill 2017.

Mitko Çavkov u shpall fajtor me akuzën për “kërcënim terrorist ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues”.

Të 15 e akuzuarit e tjerë u dënuan nga 7 deri në 15 vite burgim për të njëjtën shkelje penale. Një person u shpall i pafajshëm, raporton Alsat-m.

Shumë persona u plagosën pasi qindra manifestues nacionalistë hynë me forcë në ambientet e brendshëm të Parlamentit për të protestuar për zgjedhjen në postin e kryetarit të parlamentit të Talat Xhaferit, i zgjedhur nga pakica shqiptare, që përbën një të pestën e popullsisë.

Në dhjetor, 15 të akuzuar, përfshirë pesë deputetë të partisë konservatore (VMRO-DPMNE), u liruan në sajë të një amnistie të votuar nga qeveria e Zaev. Të njëjtët deputetë mundësuan miratimin në Parlament të ndryshimeve kushtetuese që synonin dhënien fund të mosmarrëveshjes 30 vjeçare me Greqinë për emrin e ish-republikës jugosllave.

Pushtimi i parlamentit ndodhi në kuadër të një krize të gjatë politike në vend, pas muajsh protestash të nacionalistëve kundër marrëveshjes së koalicionit mes partisë së Zaev dhe partive të pakicës shqiptare.

Zaev dhe ky koalicion morën në dorë drejtimin e vendit dhe zëvendësuan ish-kryeministrin Nikola Gruevski, përpara nënshkrimit të një marrëveshje historike me Greqinë për riemërtimin e vendit Republika e Maqedonisë së Veriut.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme