Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u ka bërë apel të enjten liderëve të Bashkimit Evropian që të jenë të hapur rreth opsionit të shtyrjes më të gjatë të Brexitit, me qëllim që kësisoj t’i ofrohet më shumë kohë Britanisë së Madhe për t’i shqyrtuar synimet për negociata.
Në atë që duket të jetë ndryshim i qasjes për sa u përket vijave të kuqe të BE-së, shefi i KE-së sugjeroi se shtyrja afatgjate mund të garantohet thjeshtë për t’i dhënë kohë Westminsterit për t’u rikalibruar, raporton "Koha Ditore".
Zyrtarët evropianë kanë insistuar deri më tani se vetëm zgjedhjet e përgjithshme apo referendumi i dytë mund ta justifikonin shtyrjen e Brexitit përtej 29 marsit, për diç më shumë se një muaj.
Por, duke intervenuar në këtë mes të enjten në mëngjes, Tusk shkroi në “Twitter”: “Gjatë konsultimeve të mia (në prag të samitit të javës së ardhshme me liderët), do të apeloj te 27 vendet anëtare të BE-së që të jenë të hapura karshi zgjatjes së gjatë, në rast se Britania do ta ketë të domosdoshëm rishqyrtimin e strategjisë së saj për Brexit dhe të ndërtojë konsensus rreth tij”.
Veprimi i Tuskut shihet nga disa si përpjekje për ta ndihmuar kryeministren britanike, Theresa May, që t’i bindë mbështetësit e Brexitit për ta përkrahur marrëveshjen e saj ose në të kundërtën të përballen me ekstra periudhë të zgjatjes së anëtarësisë në BE, gjatë të cilës rreziku për një Brexit të butë apo referendum të dytë do të rritej.
Por, veprimi reflekton po ashtu shqetësimin se një zgjatje afatshkurtër, prej vetëm pak muajsh, nuk do të mjaftonte për zgjidhjen e çfarëdo telashi në Westminster dhe për shmangien e skenarit të daljes së vendit nga blloku pa marrëveshje gjatë kësaj vere.
Deputetët britanikë do të votojnë të enjten mbrëma nëse të kërkojnë zgjatje të Brexitit deri më 30 qershor, për ta mundësuar miratimin e legjislacionit të domosdoshëm ashtu që marrëveshja e Brexitit të ratifikohet më në fund gjatë ditëve në vijim.