Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi shtyn afatin për rritjen e tarifave në mallrat kineze

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se do të shtyjë rritjen e planifikuar të tarifave në mallrat kineze, duke përmendur “përparimin e konsiderueshëm” në negociatat me Pekinin.

“Jam i lumtur t’iu njoftoj se Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të konsiderueshëm në bisedimet tona me Kinën në çështje strukturale, duke përfshirë mbrojtjen e pronës intelektuale, transferimin e teknologjisë, agrikulturës, monedhave dhe aspekteve tjera”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, transmeton rel.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Unë do të shtyj rritjen e tarifave amerikane, që ishte planifikuar të ndodhte më 1 mars. Duke parashikuar se të dyja palët do të arrijnë përparim shtesë, ne do të planifikojmë mbajtjen e një samiti mes presidentit kinez Xi dhe meje, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje. Një fundjavë shumë e mirë për SHBA-në dhe Kinën”, ka shtuar ai.

Trumpi dhe presidenti kinez, Xi Jinping janë takuar më parë në Mar-a-Lago, e cila është pronë e presidentit amerikan në Florida.

Trumpi është takuar më 22 shkurt me zëvendës-kryeministrin kinez, Liu He, i cili është nisur në Uashington, në kuadër të bisedimeve me negociatorët amerikanë për tregti.

Trumpi kishte planifikuar rritjen e tarifave për mallrat kineze, në vlerë të 200 miliardë dollarëve, nga 10 për qind sa janë tani, në 25 për qind, nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 1 mars.

Lufta tregtare në mes të dy gjigantëve globalë ka ndikuar në tregjet e aksioneve dhe ka ngritur shqetësimet për luftë tregtare globale.

Trumpi ka arsyetuar vënien e masave ndaj Kinës, duke përmendur praktikat e padrejta të autoriteteve kineze ndaj SHBA-së, si dhe ka kërkuar ndryshime rrënjësore nga ky shtet, sa i përket vjedhjes së pronës intelektuale dhe eliminimit të pengesave për kompanitë amerikane në tregun e Kinës.