Botë

140 goditje me kamxhik për çiftin indonezian për marrëdhënie jashtëmartesore e konsum alkooli

indonezi

Një çift në Indonezi është dënuar me gjithsej 140 goditje me kamxhik pasi u shpall fajtor për kryerje marrëdhëniesh seksuale jashtë martese dhe konsumim alkooli, vepra që shkelin ligjin islam (Sharia).

Gruaja 21-vjeçare humbi ndjenjat gjatë ekzekutimit të dënimit, i cili sipas autoriteteve ishte një nga rastet me numrin më të lartë të goditjeve të dhëna në një seancë publike ndëshkimi në provincën Aceh. 

Më pas, ajo u transportua në spital me ambulancë.

Çifti u ndëshkua të enjten së bashku me katër persona të tjerë, përfshirë edhe një oficer të policisë islamike, të cilët u shpallën fajtorë për shkelje të ligjit Sharia.
Në Aceh,  provincë shumë konservatore nga ana fetare, ndëshkimi me kamxhik është i zakonshëm për shkeljet e ligjit islam.

Megjithatë, kjo praktikë ka tërhequr prej vitesh kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e konsiderojnë atë mizore dhe çnjerëzore.

Sipas kodit penal islamik të Acehut, marrëdhëniet seksuale jashtë martese dënohen me 100 goditje me kamxhik, ndërsa konsumimi i alkoolit me 40 goditje.

Azharul Husna, koordinator i organizatës indoneziane për të drejtat e njeriut Kontras në Aceh, deklaroi se ndëshkimet me kamxhik nuk janë të rregulluara në mënyrë të qartë dhe të plotë, duke theksuar nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor, veçanërisht sa i përket mbështetjes dhe trajtimit të personave pas ekzekutimit të dënimit.

Oficeri i policisë islamike u ndëshkua me 23 goditje, po aq sa edhe partnerja e tij femër, për qëndrim të papërshtatshëm në një ambient privat. Ai ishte kapur vetëm me të në shtëpinë e saj, deklaroi për BBC Indonesian kreu i policisë islamike të Acehut, Muhammad Rizal, duke shtuar se oficeri do të shkarkohet nga detyra.

Aceh është e vetmja provincë në Indonezinë me shumicë myslimane që zbaton ligjin Sharia, ku shumë shkelje ndëshkohen me kamxhik në publik.