Botë

Nën kthetrën e “ariut”, Turqia ndryshon gjeo-politikën në Ballkan

E ndikuar nga Rusia, Turqia ka ndryshuar tërësisht gjeo-politikën e saj në Ballkan, duke devijuar aksin e marrëdhënieve tregtare nga trevat shqiptare në ato serbe. Në kuadër të kësaj prirjeje të re, Ankaraja ka miratuar një marrëveshje për tregtinë e lirë me Beogradin.

Parlamenti i Turqisë ka ratifikuar një marrëveshje për tregtinë e lirë me Serbinë, një lëvizje kjo që u mundëson produkteve serbe aksesin pa taksa në tregun turk. Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe të cilat citojnë ministrin e Tregtisë, Rasim Lajiq.

Falë kësaj marrëveshjeje, Serbia do të mund të eksportojë çdo vit në Turqi rreth 5 mijë tonelata mish, 25 mijë tonelata vaj luledielli, 10 mijë tonelata të tjera vaji të përpunuar, 15 mijë tonelata fara luledielli, 5 mijë tonelata sojë, 1 mijë tonelata produkte për ushqimin e kafshëve dhe 500 tonelata të tjera produkte ushqimore.

“Marrëveshja i lejon Serbisë të dyfishojë kuotën e eksporteve me Turqinë”, ka deklaruar ministri Lajiq, që është shprehur optimist se akordi i arritur mes Beogradit dhe Ankarasë do të shërbejë si shtysë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen.

Sipas zyrtarit serb, vetëm në vitin 2018, të ardhurat nga shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kaluan shifrën e 1 miliard eurove. Bëhet fjalë për një ndryshim radikal në politikën e jashtme të Turqisë, që më parë ishte e prirur të investonte në trevat shqiptare.

E gjitha kjo ndodh kur vendi është më shumë se kurrë nën ndikimin e Moskës, me të cilën e pati shumë të vështirë të pajtohej pas rrëzimit në nëntor të vitit 2015 të një avioni ushtarak rus që kishte hyrë në hapësirën ajrore turke. Episodi përkeqësoi marrëdhëniet dypalëshe, por që nga ripërtëritja e tyre aleanca Turqi-Rusi duket e padiskutueshme.

Dhe në fakt, ministri serb Lajiq në njoftimin e tij ka saktësuar se marrëveshja është arritur në kuadër të negociatave mes vendeve të Unionit Euro-aziatik, ku veç Serbisë bëjnë pjesë Rusia, Bjellorusia, Kazakistani, Armenia dhe Kirgizstani. Grupimi në fjalë nisi të enjten samitin e radhës në Beograd, që do të kulmojë me vizitën e presidentit rus Vladimir Putin më 17 janar/abcnews.