Moti i keq, anulohen qindra fluturime në Shtetet e Bashkuara Foto: Reuters

Moti i keq, anulohen qindra fluturime në Shtetet e Bashkuara

29 December 2018 20:53

Qindra fluturime janë anuluar dhe mijëra të tjerë janë vonuar në Shtetet e Bashkuara, pasi stuhi të fuqishme dimërore mbërthyen qendrën e vendit, duke frustruar udhëtarët që në këtë periudhë festive janë të shumtë.

Më shumë se 6500 fluturime u vonuan dhe rreth 800 të tjerë u anuluan sipas zyrtarëve. Një përzierje shiu, bore dhe ere të fuqishme po ashtu, e bënë udhëtimin të rrezikshëm apo të pamundur në shumë rrugë, veçanërisht në zonat veriore dhe qendrore, ku disa zona kanë regjistruar më shumë se gjysmë metri borë.

Autoritetet raportuan reshje bore edhe në pjesë të Nebraskas dhe mbyllën një seksion të një rruge ndërshtetërore. Dakota e veriut ka këshilluar të mos udhëtohet në të gjithë zonën lindore të shtetit, shkruan tch.

Një aeroport i vogël në qytetin Fargo u mbyll dhe të gjitha fluturimet u anuluan. Moti i keq vjen ndërsa shumë amerikanë po udhëtojnë për festat e fundvitit. Aeroporti ndërkombëtar i Teksasit, Dallas Fort Worth, ka përjetuar problemet më të mëdha. Më shumë se 450 fluturime u anuluan dhe mbi 600 të tjerë patën vonesa.

Shërbimi kombëtar i motit parashikon që bora dhe erërat e forta do të vazhdojnë deri në fundjavë në shtetet qendrore dhe veriore ndërsa reshje të rrëmbyeshme, ndoshta të shoqëruara edhe me përmbytje, janë të mundshme në pjesë të jugut.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme