SHBA-ja hap sërish pikën kufitare me Meksikën Foto: AFP

SHBA-ja hap sërish pikën kufitare me Meksikën

26 November 2018 09:20

Shtetet e Bashkuara kanë rihapur pikën kryesore kufitare me Meksikën, pasi fillimisht ishte mbyllur për disa orë, meqë zyrtarët amerikanë kanë përdorur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit që kanë tentuar të kalojnë përtej zonës që ndan dy shtetet.

Zona kufitare në San Ysidro që ndan San Diegon me Tijuanën ishte mbyllur në të dyja anët më 25 nëntor, ka njoftuar Agjencia amerikane për Mbrojtje të Kufirit dhe Doganave, transmeton REL.

Meksika ka thënë se do të dëbojë migrantët që siç ka thënë tentojnë të kalojnë “dhunshëm” dhe “ilegalisht” kufirin me Shtetet e Bashkuara.

Tensionet në këtë zonë kufitare janë rritur për javë të tëra pasi karvani me mijëra migrantë nga Amerika Qendrore i është afruar kufirit të SHBA-së.

Prej kur kanë arritur afër kufirit migrantët kanë qëndruar në një stadium të futbollit në Tijuana teksa kanë pritur që të nisin kërkesat për azil.

Presidenti amerikan, Donald Trump pati bërë pjesë të fushatës së tij në zgjedhjet për Kongres, të mbajtura javë më parë, linjën e tij të ashpër kundër migrantëve.

Më 8 nëntor, administrata e tij ka prezantuar disa kufizime shtesë për kërkesat për azil nga migrantët, duke iu ndaluar këtyre të fundit një kërkesë të tillë, nëse kalojnë ilegalisht kufirin e SHBA-së përmes Meksikës.

Rregullat e reja kanë prekur më së shumti migrantët nga Amerika Qendrore duke përmendur Guatemalën, Hondurasin dhe El Salvadorin, të cilët janë nisur drejt SHBA-së, për t’i ikur dhunës dhe varfërisë në shtetet e tyre.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme