Botë

Macroni në takim me Trumpin shpalos sërish idenë e Ushtrisë Evropiane

Presidenti francez, Emmanuel Macron, po bën përpjekje për një ushtri të fuqishme të përbashkët evropiane teksa po organizon ngjarje ndërkombëtare për të shënuar 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Macroni do të nis një forum paqeje më 11 nëntor, për të theksuar rëndësinë e multilateralizmit për të parandaluar luftëra të reja, por theksoi po ashtu rëndësinë e investimit në forcat ushtarake evropiane, raporton AP.

Në një takim me presidentin amerikan Donald Trump, Macroni tha se “është e padrejtë të kemi sot një sistem evropian të sigurisë të garantuar nga SHBA-ja”. Ai shtoi: “Për këtë arsye unë besoj se kemi nevojë për më shumë kapacitete evropiane dhe më shumë mbrojtje”, transmeton Koha.net.

Macroni ka kohë që po bën përpjekje për një forcë intervenuese evropiane por ideja ka hasur në rezistencë në disa kryeqytete, të cilat dëshirojnë të mbajnë kapacitetet ushtarake nën sovranitetin nacional.