Botë

Macroni krahason të djathtën e tashme ekstreme me Hitlerin

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka ritheksuar paralajmërimit rreth rritjes së nacionalizmit të së djathtës ekstreme, duke thënë në një intervistë për një gazetë rajonale franceze se vetëkënaqësia ishte ajo që lejoi ngritjen e Hitelit dhe Musolinit.

Duke folur për “Le Courrier Picard”, një gazetë kjo që mbulon Francën veriore, ku Macroni vizitoi memorialet e Luftës së Parë Botërore, presidenti u sfidua rreth krahasimeve që i ka bërë mes ngjarjeve aktuale dhe atyre të viteve të 1930-ta në Evropë.

Gazeta e pyeti atë nëse nuk po ekzagjeronte duke i krahasuar nacionalistët djathtistë të sotëm me nazistët e Gjermanisë apo fashistët e Italisë, duke thënë se ai “po shtrembëronte të dhënat historike”.

“Kohët janë tjera”, ka pranuar Macroni. “Por, kush i fitoi zgjedhjet e fundit evropiane në Francë? Fronti Nacional, me të cilin duket se të gjithë janë pajtuar. Kush doli i dyti në zgjedhjet rajonale në Francën veriore? Fronti Nacional. Kush kaloi në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale? Fronti Nacional”, tha ai, raporton Reuters.

Fronti Nacional tashmë është riemërtuar në “Grumbullimi Nacional” nga liderja e saj Marine Le Pen, e cila humbi ndaj Macronit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të majit të vitit 2017. Partia e Le Penit tani kryeson ndaj asaj të Macronit, En Marche, në sondazhet para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian majin e ardhshëm.

Macroni tha se nëse dikush mendon se nacionalistët e së djathtës ekstreme janë më pak kërcënues sot se që kanë qenë në të kaluarën, rrezikon të bëhet i vetëkënaqur ndaj tyre.

“Do të sugjeroja që të rilexoni çfarë është thënë asokohe”, tha presidenti 40 vjeçar, transmeton Koha.net.

“Njerëzit e mirëedukuar, të mirinformuar, thanë se mund të përshtatemi me nacionalistët. Siç e kujtoj, askush, madje as njerëzit më të pasur e më të edukuar, nuk e bllokuan ngritjen e Hitlerit në një vend dhe të Musolinit në një vend tjetër”.

“Dua t’ua tërheq vëmendjen të gjithëve në këtë pikë. A kemi të bëjmë me ngritje të ndjenjës nacionaliste? Po. A s’janë ata njerëz që po bëjnë presion për kthim në konflikt të njëjtit që po fitojnë terren në disa vende në Evropë? Po”.

Macroni tha se bota është dëshmitare e një ringjalljeje të autoritarizmit, me rrezikun e shtimit të armëve.

“Duhet t’i shohim këto (nacionalizmat dhe ekstremet) në fytyrë dhe të trajtojmë shkaqet rrënjësore të pabarazive që ekzistojnë”, tha ai. “Këtë po provoj ta bëj”.