Botë

2400 fëmijë mes karvaneve të emigrantëve drejt SHBA-së

Descriptive Text

Ndërsa Presidenti Donald Trump bën deklarata të ashpra ndaj emigracionit, disa karvane emigrantësh po përpiqen t’i afrohen kufirit të Shteteve të Bashkuara. Në Meksikë ndodhet një pjesë e mirë e tyre. Sipas UNICEF-it, nga emigrantët që kanë hyrë deri më tani në Meksikë, 2400 janë fëmijë.

Karvani i emigrantëve vazhdon të lëvizë. Dhjetëra prej tyre, një pjesë me kamionë dhe të tjerë më këmbë, mbërrijnë në qytetin e vogël meksikan, Sayula, që është shndërruar në pikën më të fundit të takimit të emigrantëve. Sipas llogaritjeve më të fundit, ata numërohen ende me mijëra. UNICEF-i njoftoi se rreth 2400 prej emigrantëve që kanë hyrë në Meksikë janë fëmijë.

Viktor Escobar la vendin e tij, El Salvadorin, për të arritur karvanin që Presidenti Donald Trump e krahasoi me një pushtim. Këtë javë, Presidenti Trump urdhëroi dërgimin e 5 mijë ushtarëve të parë në kufirin SHBA – Meksikë, raporton VOA.

“Nuk mund të jetë pushtim. Fëmijët nuk pushtojnë. Shumica janë njerëz punëtorë”, thotë emigranti Victor Escobar.

Shumica prej tyre dëshirojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ku emigracioni është shndërruar në një çështje qendrore në prag të zgjedhjeve për Kongresin, duke ndikuar ndoshta tek votuesit e hershëm dhe retorika e fortë në të dyja palët. Ish-Presidenti Obama deklaroi se ushtria po përdoret politikisht.

“Tani po dërgojnë ushtarakët tanë trima. Po i dërgojnë për një manovër politike”, u shpreh gjatë një tubimi elektoral ish-Presidenti Barack Obama.

Një karvan i dytë u përplas në kufirin me Guatemalën me rojet kufitare meksikane, duke i goditur ata me gurë. Presidenti Trump sinjalizoi se nëse veprojnë njësoj në kufirin me SHBA-në, atëherë do të priten me armë zjarri.

“Nuk do tolerojmë. Nëse godasin me gurë, ushtria do të kundërpërgjigjet. U kam thënë ta konsiderojnë goditjen me armë”, deklaroi Presidenti Trump.

Por, më vonë u duk se Presidenti u tërhoq.

“Nuk thashë të qëllojnë. Por, nëse na godasin, do futen në burg për një kohë të gjatë”, tha Trump.

Ndërkohë, Cindy Ramirez nga Hondurasi, së bashku me motrën e saj, qajnë çdo natë, ndërsa shpresojnë të lejohen të hyjnë në SHBA.