Botë

Funerali katolik me lutje myslimane për shqiptarët e tragjedisë së Gjenovës

Familjet e 19 prej viktimave të tragjedisë së shkaktuar nga shembja e urës “Morandi” vendosën të merrnin pjesë në funeralin shtetëror, me një meshë të drejtuar nga kryepeshkopi i Genovas, kardinali Angelo Bagnasco.

Mes arkivoleve ishin edhe ato të dy myslimanëve shqiptarë që jetonin e punonin në Itali. Arkëmortet e tyre u bekuan në fund të shërbesës katolike nga një imam i Genovas, i cili mori duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve kur iu lut Zotit të “mbronte Italinë dhe italianët”, raporton Tch.

Lojtarë të një ekipi amator lokal, Campi Corniglianese, ishin të pranishëm në shenjë nderimi ndaj njërit prej tyre që humbi jetën në tragjedi. Ai ishte shqiptari 22-vjeçar, Marjus Djerri, i cili luante për këtë ekip të Serisë D italiane, por që në atë moment fatkeq ishte duke udhëtuar për në punë, së bashku me bashkëkombasin tjetër Admir Bokrina.

“Mariusi ishte një djalë i artë. Ndoshta lojtari më i fuqishëm në fushë, por si person do të doja që të gjithë lojtarët të ishin sadopak si ai”, tha presidenti i ekipit amator, Augustus Pintus.

Futbollistët dhe trajnerët e dy skuadrave kryesore të qytetit, Genoa dhe Sampdoria, morën pjesë gjithashtu në ceremoni, pasi ndeshjet e tyre këtë fundjavë të vlefshme për javën e parë të Serie A u shtynë në shenjë respekti për të vdekurit.

Por, në funeralet e viktimave të tjerë të tragjedisë, të zhvilluara të premten privatisht, vajtues të irrituar fajësuan autoritetet për neglizhencë dhe moskompetencë, pasi dështuan të garantonin sigurinë e asaj ure.