Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

10 vjet nga zhdukja e priftit me përkatësi të dyfishtë fetare

Prania e At Polos ndihet ende në komunitetin monastik Mar Musa, edhe pse shumë parashikuan se nuk do të mund t'i mbijetonte zhdukjes së themeluesit të tij karizmatik. Manastiri në Siri kohët e fundit rihapi dyert e tij për mysafirët, duke çuar përpara vizionin e At Paolos për mikpritjen dhe dialogun ndërfetar. Në rajonin kurd të Irakut verior, një tjetër manastir i drejtuar nga komuniteti ofron kurse gjuhësore për refugjatët, myslimanët, të krishterët dhe jezidët

Herën e fundit që dikush e pa Paolo Dall'Oglion, ishte rrugës për në një takim me ISIL-në (ISIS).

Prifti italian, i cili ishte i njohur në të gjithë Sirinë për aktivizmin e tij të paqes, kishte shpresuar të kishte një dialog me grupin e armatosur. Në vend të kësaj, ai u zhduk.

Ishte viti 2013 dhe revolucioni sirian, fillimisht një lëvizje proteste popullore në të cilën At Paolo ishte përfshirë shumë, kishte degjeneruar në një luftë brutale civile. Ishte tipike për priftin – një vizionar për admiruesit e tij dhe një idealist i rrezikshëm për kundërshtarët e tij – të refuzonte të pranonte se momenti i dialogut kishte kaluar.

Rruga që e çonte atë në selinë e ISIL-it në Raqqa kishte qenë e gjatë. I lindur në Romë në vitin 1954, i riu Paolo Dall’Oglio bëri udhëtimin e tij të parë në Lindjen e Mesme verën pasi mbaroi shkollën e mesme. Ishte një udhëtim, thotë shoqja e tij e fëmijërisë Françeska Peliti, të cilin më vonë do ta konsideronte “moment përcaktues” në jetën e tij.

Mar Musa dhe dialogu myslimano-krishterë

Tërheqja e tij ndaj kulturës arabe dhe islame lulëzoi në të njëjtën kohë me ndjenjën e tij të thirrjes për priftërinë katolike. Në vitin 1975, në moshën 21-vjeçare, At Paolo hyri në urdhrin e Jezuitëve.

Në vitin 1977, ai filloi studimet universitare për Islamin dhe gjuhën arabe në Bejrut. Peliti, e cila e kujton mikun e saj si të sjellshëm, të vendosur dhe argumentues, thotë se gjithmonë kishte pritur që ai të bënte një zgjedhje “radikale”.

Në vitin 1982, teksa eksploronte Sirinë, At Paolo hasi në Manastirin e lashtë të Shën Moisiut Etiopian (Deir Mar Musa al-Habashi në arabisht), që daton në shekullin e pestë ose të gjashtë. Deir Mar Musa ishte në gjendje të keqe dhe At Paolo mori përsipër ta rinovonte.

Pas gati një dekade punë, në vitin 1991, ai u transferua aty, së bashku me Yagob Mouradin, një seminarist vendas. Me insistimin e At Paolos, manastiri iu kushtua dialogut myslimano-krishterë.

Vizitorët kishin qenë të shumtë edhe para se të përfundonin riparimet. Së shpejti ata numëroheshin në dhjetëra mijëra çdo vit – të krishterë dhe myslimanë, sirianë dhe të huaj.

Duke shkruar në revistën katolike italiane Popoli, At Paolo ka theksuar se disa nga këta të ftuar myslimanë erdhën nga kurioziteti. Të tjerët u tërhoqën, tha ai, nga një ndjenjë se manastiret e krishtera – të cilat përmenden dy herë, në mënyrë miratuese, në Kuran – ishin gjithashtu hapësira të shenjta për ta. “Edhe murgjit dhe murgeshat janë të shenjta për sytë e tyre”, ka thënë prifti i entuziazmuar.

Mikpritja në këtë shkallë, natyrisht, nuk do të ishte e mundur vetëm. Gjatë viteve 1990, dikur At Paolo dhe Mourad jetonin në manastir me kohë të plotë, të tjerë iu bashkuan atyre, kryesisht sirianë dhe qytetarë të vendeve fqinje, por edhe një numër evropianësh.

Marrëdhëniet brenda këtij komuniteti monastik të lulëzuar nuk ishin gjithmonë të lehta. Murgjit dhe murgeshat e tij e kujtojnë At Paolo si miqësor dhe karizmatik, por edhe kokëfortë dhe autoritar.

Një pikë e veçantë e ndezjes ishte hapja e tij ndaj Islamit. Në një përmbledhje dëshmish nga ata që e njihnin priftin, të redaktuara nga Françeska Peliti, Mourad kujton argumentet e tyre të pandërprera.

Mourad – gjyshërit e të cilit ishin detyruar të largoheshin nga një fushatë antikristiane në Turqi më pak se një shekull më parë – mendonte se At Paolo, një perëndimor, nuk e vlerësonte plotësisht shtrirjen e tensioneve fetare në rajon.

Revolucion, mërgim dhe një zhdukje

Në mënyrë të pashmangshme, kritika të ngjashme u ngritën kur At Paolo u përfshi në revolucionin sirian. Shumica e kishës në vend, e kujdesshme ndaj “radikalizmit” të perceptuar në rritje të disa grupeve rebele, ishin në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad.

Me gjithë dekadat e tij të shumta në vend, arabishten e rrjedhshme dhe rrjetin e kontakteve, shumë nga shokët e krishterë të At Paolos e akuzuan atë për naivitet, për mungesë të një kuptimi të vërtetë të situatës.

Për një kohë të gjatë një ithtar i reformave demokratike, murgu italian ishte shtyrë drejt aktivizmit të qartë antiqeveritar nga shtypja brutal e regjimit ndaj demonstruesve civilë. Edhe pse kritikat e tij nuk ishin të kufizuara vetëm në shtet – At Paolo u shpejtua të dënojë dhunën e ushtruar nga rebelët gjithashtu – qeveria shpejt e dëboi atë nga vendi.

Ai kaloi një vit larg vendit që tani e konsideronte të vetin, duke i thënë televizionit italian se “nuk do ta besonte kurrë që mërgimi mund të ishte kaq i hidhur”. Në vitin 2013, ai u kthye ilegalisht, duke kaluar nga Turqia në territorin e kontrolluar nga rebelët në veri.

Aty, më 29 korrik, ai u zhduk.

Kjo ishte 10 vjet më parë. Që atëherë, raportet që kanë dalë, sugjerojnë se prifti është vrarë, por asnjë provë përfundimtare nuk është dhënë. Ndërsa shumë nga ata që e njihnin At Paolon tani dyshojnë nëse ai ka mbijetuar, të tjerë, veçanërisht familja e tij, vazhdojnë të mbajnë shpresë.

Ziad, një ish-seminarist nga Aleppo, thotë se ndihej i zhgënjyer nga At Paolo, të cilin e njihte para luftës. “Pse mendoi se dinte më mirë se të krishterët sirianë?” pyet ai.

“Pse nuk e kuptoi se, sa herë që ka probleme politike, jemi ne, minoritetet, që vuajmë të parët?”.

Siç ndodh, At Paolo iu bë pothuajse e njëjta pyetje në një intervistë për revistën gjermane Zenith, e regjistruar pak para dëbimit të tij nga Siria. Si përgjigje, ai bën dallimin midis të krishterëve “sociologjikë” dhe të krishterëve si “dishepuj të Jezusit të Nazaretit”.

Si grup sociologjik, thotë ai, të krishterët kanë interesa që duan t'i mbrojnë, ashtu si çdo fraksion tjetër; por, si ndjekës të Jezusit, ata nuk duhet të heshtin përballë mizorive.

Fytyrat e shumta të Zotit

Radikalizmi i At Paolos nuk ishte i kufizuar në politikën e tij. Cenap Aydin, një mysliman turk dhe mik i priftit, thekson se ai ishte thellësisht i interesuar për spiritualitetin islam dhe i bindur se edhe ai mund të jetë “mjet” për të takuar Zotin.

Ai flet me mall për praktikën e At Paolos për të ndarë agjërimin vjetor të Ramazanit me fqinjët e tij myslimanë dhe për magjepsjen e tij me sufizmin, traditë mistike brenda Islamit.

Në librin e tij të vitit 2011, “In Love with Islam, Believing in Jesus”, At Paolo flet për “përkatësinë e dyfishtë”, për identifikimin si me krishterimin ashtu edhe me islamin. Ai gjithashtu pohon vlerën teologjike, nga pikëpamja e krishterë, e deklaratave të Profetit Muhamed.

Çfarë ka mbetur, 10 vjet më vonë, nga vizioni unik i At Paolos?

Është e lehtë të jesh pesimist. Revolucioni që prifti mbështeti ndezi një luftë civile që shkatërroi Sirinë e tij të dashur. Shumë anëtarë të kishës siriane, në të cilën At Paolo punoi aq shumë për t'u integruar, duke pasur parasysh shfrytëzimet e tij politike, i kanë kthyer shpinën atij dhe trashëgimisë së tij. Dhe lufta ka prishur lidhjet midis komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare të Sirisë, aq të dashura për At Paolo, më shumë se kurrë.

Paola Pizzo, profesoreshë e Historisë së Lindjes së Mesme në Universitetin e Chietit në Itali, pranon se lufta “ka copëtuar strukturën e bashkëjetesës civile në vend”, por ajo ka ende shpresë.

“Komunitetet, duke përfshirë edhe ato fetare, janë më të izoluara dhe të ndara nga njëri-tjetri se më parë. Por shembujt e Mar Musas dhe At Paolos janë atje për të thënë se rrugët e paqes dhe dialogut janë gjithmonë të mundshme.”

Në këtë drejtim, udhëtimi i fundit i At Paolos, ai që e solli në derën e ISIL-it, është i mrekullueshëm. Burimet kundërshtojnë qëllimin e vizitës – disa thonë se ai donte të negocionte një armëpushim midis grupit dhe luftëtarëve kurdë, të tjerë se ai po planifikonte të fliste me ISIL-në për të drejtat e pakicave fetare në zonat që ata kontrollonin.

Megjithatë, ajo që është e qartë është se At Paolo e dinte rrezikun në të cilin po hynte – ai u tha miqve të përgatitnin alarmin nëse nuk do të kthehej pas tri ditësh – dhe zgjodhi të shkonte gjithsesi. Është ai gjest, ai sugjerim që disa parime – çiltërsia, dialogu – janë aq të rëndësishme sa duhet të kapërcejnë interesat personale.

Prania e At Polos ndihet ende në komunitetin monastik Mar Musa, edhe pse shumë parashikuan se nuk do të mund t'i mbijetonte zhdukjes së themeluesit të tij karizmatik. Manastiri në Siri kohët e fundit rihapi dyert e tij për mysafirët, duke çuar përpara vizionin e At Paolos për mikpritjen dhe dialogun ndërfetar. Në rajonin kurd të Irakut verior, një tjetër manastir i drejtuar nga komuniteti ofron kurse gjuhësore për refugjatët, myslimanët, të krishterët dhe jezidët.

Përktheu: Blerta Haxhiu

Artikuj të ngjashëm